Bie industria italiane – Ngadalësohet ndjeshëm gjatë muajit prill

Industria italiane është ngadalësuar edhe më tej gjatë muajit Prill, tregojnë të dhënat e publikuara së fundmi nga Instituti Italian i Statistikave. Kështu, në tërësi ngadalësimi i industrisë gjatë Prillit fiksohet në masën 1%, duke shënuar edhe ngadalësimin e parë që prej fillimit të këtij viti.
Në terma vjetorë ndërkohë, rënia fiksohet në 0.7%. Edhe indikatori që i referohet porosive rezulton në rënie të ndjeshme, prej 2.4%. Rënia më e madhe vjen nga kërkesa e jashtme, me 2.9%. Mes sektorëve ndërkohë regjistrojnë performancë të mirë, duke u rritur, energjia dhe të mallrat e konsumit. Kështu, Prilli ka ndërprerë serinë pozitive të rezultateve të këtij viti. Mallrat e konsumit, shpjegon Instituti Italian i Statistikave në publikimin e fundit, regjistrojnë një rritje të përbashkët prej 0.9%, ndërsa energjia prej 0.2%.
Rritjen më të madhe e regjistron sektori i pajisjeve kompjuterike dhe elektronike si dhe ai i industrisë ushqimore. Të dhënat më të fundit shtojnë alarmin sa i përket sektorit industrial në tërësi në kontinentin e vjetër. Së fundmi, ekonomia gjermane, më e madhja në Europë është futur në një spirale të rrezikshme, kryesisht si pasojë e industrisë, ndërkohë që e njëjta gjë vlen edhe për Mbretërinë e Bashkuar.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.