Bie inflacioni – Tjetër luhatje, 1.7% për nëntorin

Inflacioni ra sërish për muajin nëntor, duke konfirmuar një ecuri të luhatshme. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, inflacioni zbriti në 1.7%, nga 1.9% që kishte qenë për tetorin.
Përcaktuese ishte rënia e inflacionit në grupin e ushqimeve, në 3.7%, nga 4% që kishte qenë për tetorin dhe në grupin “qira, ujë, lëndë djegëse, energji”, në 0.6%, nga 1.1% që që ishte muajin e mëparshëm.
Brenda grupit të ushqimeve, kontributin kryesor në rënie vazhdojnë ta japin çmimet e ushqimeve të përpunuara, që vijnë kryesisht nga importi dhe që tregojnë se faktorët e ofertës vazhdojnë të kenë një ndikim të konsiderueshëm në mbajtjen në nivele të ulëta të inflacionit.
Shtrenjtimi i karburanteve e ka rritur inflacionin e grupit “transporti” në 1.9%, nga 0.4% që ishte për tetorin. Megjithatë, kjo rritje nuk ka mjaftuar për ta çuar inflacionin brenda intervalit të objektivit të Bankës së Shqipërisë.
Inflacioni më i ulët se parashikimet ka bërë që Banka Qendrore të shtyjë ciklin lehtësues të politikës monetare të paktën edhe për vitin e ardhshëm. Në analizat e këtij institucioni, inflacioni i ulët i detyrohet çmimeve të lëndëve të para të importit, por edhe forcimit të lekut në kursin e këmbimit. Sidoqoftë, Banka e Shqipërisë pret që inflacioni të kthehet pranë objektivit prej 3% brenda vitit të ardhshëm.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.