Bie konsumi në Britani për të tretin muaj radhazi, shkak inflacioni

Shitjet me pakicë në Britani kanë rënë për të tretin muaj radhazi në Janar. Shitjet me pakicë përbëjnë treguesin kryesor mbi konsumin dhe tregojnë se konsumatorët britanikë po fillojnë të ndiejnë rritjen e nivelit të çmimeve.
Volumi i mallrave të shitur nëpër dyqane dhe online ra me 0.3%,pas një rënieje me 2.1% në Dhjetor, tregon zyra Kombëtare e Statistikave. Të dhënat tregojnë se pritshmëritë për një tkurrje të shpenzimeve në ekonomitë familjare, po materializohen, ndërkohë që fuqia blerëse e britanikëve po ulet nga rritja e inflacionit.
Kjo kërcënon të dëmtojë ekonominë britanike që mbështetet kryesisht në kërkesën e brendshme për rritje. Paundi ra lehtë pas të dhënave, në 1.2428 për dollarë, në rënie me 0.5% nga sesioni i djeshëm.
Inflacioni u rrit në 1.8% në muajin e kaluar dhe pritet të vazhdojë rritjen përgjatë 2017-ës ndërkohë që rënia e mprehtë e paundit do të shtojë kostot e importeve.
Çmimi i mallrave të shitura në Janar, matur nga deflatori i PBB-së, u rrit me 1.9% me bazë vjetore, që është norma më e lartë që prej 2013-ës.
Në Janar pati rënie në shitjet e produkteve ushqimore dhe produktet e blera online. Ndërsa inflacioni pritet të arrijë 3% këtë vit, rritja e pagave vazhdon e dobët në vetëm 2.5%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.