Bie kredia jashtë vendit – Forcimi i lekut dhe Banka e Shqipërisë i “vënë fre”
Mbiçmimi i lekut dhe ndikimi i Bankës së Shqipërisë kanë ulur kreditimin e bankave shqiptare jashtë vendit për vitin 2018. Mbështetur në të dhënat e raportit të stabilitetit financiar, kredia për jo-rezidentët ra me 7% gjatë vitit të kaluar dhe në fund të dhjetorit kishte vlerën e 60 miliardë lekëve. Kredia për jo-rezidentët është në pjesën dërrmuese në euro, ndërsa për qëllime statistikore ajo raportohet në lekë. Për vitin 2018, leku u mbiçmua me rreth 5% ndaj euros, ndaj, në pjesën më të madhe, rënia e vlerës së kredisë jashtë vendit i detyrohet këtij faktori.
Por, gjithashtu, gjatë vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë ka kërkuar nga ato pak banka që kanë një portofol për jo-rezidentët që ta frenojnë huadhënien jashtë vendit. Në veçanti, në segmentin e biznesit, kredia për jo-rezidentët ka rënë me 11%.
Në analizat e Bankës së Shqipërisë, rritja e shpejtë e këtij portofoli shtron rreziqe të lidhura me vështirësitë për të ndjekur performancën e huamarrësve, por edhe me probleme të juridiksionit dhe kuadrit ligjor për mbledhjen dhe rikuperimin e kredive.
Megjithatë, raporti i kredive me probleme në segmentin e jo-rezidentëve deri tani është relativisht i ulët. Në fund të vitit të kaluar, ky tregues ishte 5.2% ose afërsisht sa gjysma e raportit mesatar të kredive me probleme të sistemit bankar.
Kredia për jo-rezidentët është e përqendruar sidomos te banka më e madhe në vend, BKT. Kjo përfshin edhe një portofol të konsiderueshëm të degës së saj në Kosovë. Por, nga 1 janari dega e BKT në Kosovë vepron si bankë e ndarë dhe, rrjedhimisht, portofoli i saj i kredisë nuk pritet të klasifikohet më si kredi e sistemit bankar shqiptar për jo-rezidentët. Në fund të vitit 2018, portofoli i BKT – Kosovë kishte vlerën e 283 milionë dollarëve ose rreth 31 miliardë lekëve. Kjo vlerë përfaqëson më shumë se gjysmën e kredisë për jo-rezidentët të dhënë nga sistemi bankar shqiptar.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.