Bie ndjeshëm niveli i papunësisë në 3.6% – SHBA, Rezerva Federale pritet të rrisë normat e interesit me 50 pikë në Maj

Rritja e punësimit në Shtetet e Bashkuara vazhdoi në Mars, me nivelin e papunësisë më të ulët, në dy vitet e fundit me 3.6%, rrogat gjithashtu, kanë shënuar rritje. Gjë që çon Rezervën Federale në pozicion për të rritur normat e interesit me 50 pikë bazë në Maj
Raporti i Departamentit të Punës në fillim të muajit Prill tregoi gjithashtu se punësimi në shërbimet profesionale dhe biznesi, aktivitetet financiare dhe sektorët e shitjes me pakicë janë mbi nivelet para pandemisë.
Rritja e numrit të të punësuarve tregon një vrull të fortë në ekonomi, pasi po përballet me inflacion, politika më të forta monetare dhe lufta Rusi-Ukrainë, që tensionon më tej zinxhirët e furnizimit global dhe shton presionet e çmimeve.
Rezerva Federale, muajin e kaluar rriti normën e saj të interesit me 25 pikë bazë, rritja e parë në më shumë se tre vjet.
Politikanët kanë rritur retorikën e tyre të ashpër duke thënë se banka qendrore e Shteteve të Bashkuara duhet të rrisë më shpejtësi normat për të mbajtur nën kontroll inflacionin.
Sipas ekspertëve, shkalla e papunësisë është e ulët, në 3.6%, çka tregon se tregu i punës po ecën shumë mirë dhe se njerëzit po rikthehen në vendet e punës.
Anketa e bizneseve tregoi se vendet e punës në sektorët jo-bujqësorë u rritën me 431,000 muajin e kaluar.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.