Bie numri i bizneseve, shtohen vetëm fermerët e regjistruar

Numri i bizneseve aktive në ekonominë shqiptare arriti vitin e kaluar në afro 161 mijë. Sipas Institutit të Statistikave, numri i ndërmarrjeve aktive gjatë vitit të kaluar u rrit me 5.5%, por, me një detaj që duhet pasur në konsideratë: rritja ka ardhur vetëm si rezultat i formalizimit të fermerëve, ndërsa numri i subjekteve të tjera në ekonomi ka pësuar rënie.
Për vitin 2016, numri i fermerëve të regjistruar arriti në mbi 31 mijë, në rritje me 63% krahasuar me një vit më parë. Rritja e numrit të fermerëve të regjistruar ka ardhur për shkak të një trysnie në rritje për regjistrimin e tyre si subjekte biznesi, por, edhe falë kushtëzimeve të vendosura për të pasur akses në skemat e mbështetjes së bujqësisë.
Kjo ka bërë që numri i fermerëve të regjistruar të rritet nga 600 që ishte dy vjet më parë, në mbi 31 mijë në fund të vitit 2016. Tashmë, fermerët përbëjnë afro 19% të numrit të përgjithshëm të bizneseve të regjistruara.
Në kuptimin e shifrave zyrtare, mund të themi se nisma private në Shqipëri është më e orientuar nga bujqësia, ndonëse realisht këto shifra janë kryesisht efekt i formalizimit. Për subjektet e tjera të biznesit tendenca është e kundërt.
Gjatë vitit të kaluar pësoi rënie si numri i bizneseve familjare, të regjistruara kryesisht si persona fizikë, ashtu edhe numri i ndërmarrjeve më të mëdha, që veprojnë si persona juridikë. Numri i personave fizikë aktivë për vitin e kaluar ra në afërsisht 101 mijë, 2.4% më pak krahasuar me vitin 2015.
Ndërkohë, numri i personave juridikë ra në rreth 28 mijë, 3.4% më pak krahasuar me vitin 2015. Për një ekonomi në përmirësim, rënia e numrit të bizneseve aktive nuk duket një zhvillim i natyrshëm.
Një faktor që mund të ketë ndikuar në rënien e numrit të bizneseve është forcimi i presionit për formalizim. Me sa duket, shumë biznese nuk kanë mundur t’i mbijetojnë formalizimit të aktivitetit.
Ndonëse bizneset me qarkullim deri në katër milionë lekë u përjashtuan nga tatimi mbi të ardhurat, sërish formalizimi ka kosto të lidhura me pagesën e kontributeve të sigurimeve apo të detyrimeve vendore. Në këto kushte, shumë biznese të vogla kanë zgjedhur të mbyllin apo të pezullojnë aktivitetin e tyre.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.