Bie papunësia në Francë, performanca më e mirë në 8 muaj
Papunësia totale në Francë ka shënuar rënien më të madhe në 8 muaj gjatë Prillit, ndërkohë që, numri i atyre që kërkojnë punë ka rënë me 1% në krahasim me muajin paraardhës, raporton ministria e punës në vend.
Numri i personave në kërkim të punës ra kështu me 36 mijë gjatë Prillit, duke zbritur në 3.471.800 persona.
Kjo përkthehet në një rënie vjetore prej 1.3%. Pavarësisht kësaj, performanca e Prillit nuk ishte e mjaftueshme për të fshirë rezultatin e dobët të Marsit, kur të papunët u rritën me 43.700 persona.
Një përmirësim gradual i ekonomisë po përkthehet në një rimëkëmbje të tregut të punës, thotë ministria e punës.
Nga ana tjetër, presidenti i sapozgjedhur i Francës, Emmanuel Macron, nisi gjatë javës bisedimet me sindikatat dhe unionet e punëtorëve për reformën e punës, që është një ndër prioritetet kyçe të mandatit të tij.
Një javë më parë, zyra e statistikave në vend tregonte se norma e papunësisë gjatë tremujorit të parë të vitit ra në 9.6%, nga 10% që ishte në tremujorin paraardhës.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.