Bie papunësia në Greqi – Të papunët zbresin në 1 milion

Norma e papunësisë në Greqi ra pranë nivelit të 21.2% gjatë muajit Qershor të këtij viti, raporton autoriteti i statistikave në vend, Elstat.
Norma është një rishikim i vlerësimeve paraprake, që flisnin për një 21.5%. Pavarësisht rënies së ndjeshme të normës së papunësisë në vend, ajo vijon të mbetet më e larta në Europë.
Sipas Elstat, numri i atyre që janë zyrtarisht të papunë në Greqi fiksohet në 1.01 milionë. Të rinjtë janë edhe ata që vuajnë më shumë.
Për grupmoshën nga 15 deri në 24 vjec, papunësia fiksohet pranë 43.3%, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të një viti më parë fiksohej pranë 46.5%.
Në Shtator të vitit 2013, norma e papunësisë në Greqi preku rekordin historik të 27.9%.
Pavarësisht rënies së ndjeshme, papunësia në Greqi vijon të mbetet më shumë se dy herë më e lartë se mesatarja europiane.
Gjithsesi, të gjithë indikatorët e fundit sinjalizojnë një përmirësim të ndjeshëm të ekonomisë helene përgjatë këtij viti.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.