Bien interesat – Obligacionet dyvjeçare në 2.63%

Ulja e interesave të letrave të borxhit të qeverisë u thellua edhe te obligacionet 2-vjeçare. Në ankandin e këtij muaji, të zhvilluar të mërkurën, kuponi apo interesi mesatar i obligacioneve, ra në 2.63%, nga 3.35% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.
Një prirje e ngjashme po vërehet në dy muajt e fundit edhe në ankandet e bonove të thesarit. Arsyeja kryesore është se tregu duket të ketë shumë më tepër likuiditete të lira krahasuar me tremujorin e fundit të vitit të kaluar.
Në ankandin e të mërkurës, nga 4.8 miliardë lekë obligacione të shpallura nga Ministria e Financave, kërkesa e paraqitura në ankand arritën në afro 8.5 miliardë lekë. Likuiditeti i lirë po rrit kërkesën për bono dhe obligacione, duke qenë se kreditimi ngelet i zbehtë, çka është pak a shumë e zakonshme në muajt e parë të vitit.
Një faktor tjetër mund të jetë rritja e mbështetjes së tregut me likuiditet nga Banka e Shqipërisë. Gjithashtu, rritja e kërkesës për të investuar në titujt qeveritarë është mbështetur edhe nga përmirësimi i normave të interesit, pasi ato kishin prekur fundin në mesin e vitit të kaluar.
Pavarësisht nga arsyet, ecuria e tregut primar të borxhit të qeverisë konfirmon parashikimet e ekspertëve se rritja e interesave do të ishte e kufizuar, në formën e një korrigjimi nga vlerat tejet të ulëta, të prekura në vitin 2016.
Frenimi në interesat e bonove dhe obligacioneve, për momentin, i mban të kontrolluara presionet për rritjen e interesave të depozitave dhe të kredive.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.