Bien lehtë çmimet e karburanteve – Vendimi i ri i Bordit: Nafta, 226 lekë/litër, ndërsa benzina shkon në 208 lekë/litër!

Bordi i Transparencës, që është ngritur për përcaktimin e çmimeve tavan për tregtimin e karburanteve është mbledhur sërish pas 24 orësh, ndërsa ka vendosur uljen e çmimit të karburanteve. Sipas vendimit të ri, nga data 2 prill, nafta me pakicë do të tregtohet me 226 lekë/litër, nga 231 lekë/litër, duke shënuar një rënie me 5 lekë/litër në raport me një ditë më patë. Po ashtu, benzina do të tregohet me 208 lekë/litër nga 212 lekë/litër, që ishte deri të premten.
Rënie të lehtë ka pësuar edhe gazi, pasi sipas vendimit të ri në tregjet me pakicë do të tregtohet me 114 lekë/l, nga 115/ lekë për litër që ishte një ditë më parë. Ajo që bie në sy në vendimin e fundit është fakti se nuk është përcaktuar një afat konkret, se deri kur këto çmime do të jenë në fuqi, por ato do të aplikohen deri në mbledhjen e radhës të Bordit të Transaprencës. Në fakt, Akti Normativ, që rregullon funksionimin e bordit ka lejuar që periodiciteti i mbledhjeve të lihet në gjykimin e ministrit të Financave apo Energjisë, ndërkohë që edhe afati i hyrjes në fuqi të vendimeve lihet në gjykimin e Bordit.
Ndërkohë që, në njoftimin e fundit Ministria e Financave dhe Ekonomisë, deklaroi se është në monitorim të vazhdueshëm të ecurisë së bursave, me qëllim reagimin sa më të shpejtë. Për përcaktimin e çmimit final të karburanteve, Bordi ka si referencë çmimin e shpallur nga bursa në Platts i një dite më parë nga mbledhja, ndërsa më pas i shtohet një vlerë prej 20 USD/ton, taksat, tatimet, si dhe marzhi i fititimit për kompanitë e tregtimit me shumicë dhe ato me pakicë të karburanteve, që është respektivitisht 1% dhe 5%.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.