Bien me 58% sigurimet nga katastrofat – Tregu e nis vitin me rënie, në total 4 milionë dollarë arkëtime në portofolin e pronës

Ndërsa tregu i sigurimeve në tërësi e ka nisur vitin me një rënie të konsiderueshme krahasuar më 2021, portofoli i mbrojtjes nga katastrofat natyrore rezulton një prej atyre që kanë shënuar tkurrjen më të fortë. AMF raporton Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë periudhës janar-shkurt 2022, vihet re një ulje prej 58.26% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 1.59% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-shkurt 2021.
Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë periudhës janar-shkurt 2022 siguruan mbi 428 milionë lekë të ardhura në total, rreth 4 milionë dollarë, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 56.89%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 31.21% të totalit.
Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-shkurt 2022 arritën rreth 1 miliardë lekë, afërsisht 10 milionë dollarë, ose 14.93% më pak se në periudhën janar-shkurt 2021. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 40.13% krahasuar me periudhën janar-shkurt 2021.
Sa i përket tregut në total, Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-shkurt 2022 kapën vlerën 2,8 miliardë lekë, afërisht 28 milionë dollarë, ose 0.82% më pak se në janar-shkurt 2021. Gjatë periudhës janar-shkurt 2022, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 167,157 me një rritje prej 19.39% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.