Bien pagat – INSTAT: Paga mesatare në vitin 2016, 45,800 lekë

Paga mesatare në ekonomi pësoi një rënie të papritur gjatë vitit 2016. Mbështetur në të dhënat e INSTAT, paga mesatare bruto për vitin e kaluar zbriti në rreth 45,800 lekë, në rënie me 2.1% krahasuar me një vit më parë.
Niveli i pagës mesatare në ekonomi u godit sidomos nga rënia në degët e industrisë nxjerrëse, transportit dhe në disa prej degëve të shërbimeve.
Viti i kaluar ishte sfidues për industrinë nxjerrëse, çka u reflektua me një rënie prej 6.7% të pagës mesatare, ndërsa në sektorin e transportit, rënia ishte 7.3%.
Edhe për ata sektorë ku pagat janë rritur, përgjithësisht rritja ka rezultuar e zbehtë. Përjashtim bëjnë vetëm sektori i energjisë, me 8.7% apo ai i shërbimeve profesionale me 11.6%.
Në vlerë absolute, pagat më të larta në ekonomi edhe vitin e kaluar i kishte aktiviteti i organizatave ndërkombëtare, me 124 mijë lekë në muaj.
Për sa i takon ekonomisë shqiptare, sektori me pagën mesatare më të lartë është ai i shërbimeve financiare, me 98 mijë lekë në muaj dhe informacioni e komunikimi me 71 mijë lekë në muaj.
Ndërkohë, pagën mesatare më të ulët e kanë ata sektorë që mbajnë edhe peshën më të lartë në punësim, si bujqësia, industria përpunuese apo aktiviteti i bar-restoranteve.
Paga mesatare sipas sektorëve (lekë/muaj) | ||||
Organizatat ndërkombëtare | 124 814 | |||
Aktivitetet Financiare dhe Sigurimit | 97 962 | |||
Informacion dhe Komunikacion | 70 083 | |||
Aktivitetet profesionale dhe teknike | 69 115 | |||
Energjetikë | 68 355 | |||
Industri nxjerrëse | 59 574 | |||
Administrimi publik | 58 548 | |||
Arsim | 57 140 | |||
Shëndetësi | 48 410 |
Paga mesatare sipas sektorëve (lekë/muaj) | ||||
Transport dhe Magazinim | 42 499 | |||
Ndërtim | 36 457 | |||
Art, Argëtim dhe zbavitje | 36 400 | |||
Tregti me shumicë dhe pakicë | 34 677 | |||
Bujqësi | 33 111 | |||
Industri Përpunuese | 31 407 | |||
Shërbime në shtëpi | 29 221 | |||
Hotele, bare, restorante | 25 267 |
INSTAT e llogarit pagën mesatare mbështetur në të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ndaj duhet konsideruar edhe një shmangie e shifrave që lidhet me informalitetin, po të kemi parasysh se një pjesë e mirë e pagave nuk deklarohen të plota.
Megjithatë, tendenca në vitet e fundit është qartësisht drejt uljes së nivelit të informalitetit, ndaj nuk besohet se mund të ketë qenë ky faktori më përcaktues në uljen e pagës mesatare.
Megjithëse rritja e ekonomisë shqiptare është në përmirësim, kjo rritje ende nuk po reflektohet në mënyrë të njëtrajtshme në të gjithë treguesit makroekonomikë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.