Bien shitjet e Mercedes – Daimler ndjek industrinë. Kosto të mëdha për elektrifikimin
Prodhuesi i Mercedes, Daimler, deklaroi se objektivat financiarë janë bërë më të vështira për t’u arritur, duke sjellë lajme të këqija për industrinë automobilistike. Fitimi i prodhuesit gjerman ra me 16%, prej rënies së shitjeve dhe rritjes së kostove të zhvillimit të modeleve të reja.
Ndërkohë që të ardhurat rezultuan brenda projeksioneve të analistëve, kreu ekzekutiv Dieter Zetsche tha se tremujori i parë dështoi të arrijë parashikimet e kompanisë. Daimer, ashtu si dhe prodhuesit e tjerë të makinave, po përballet me shitje të ulëta në SHBA dhe Europë, paralelisht me rritjen e mëdha të shpenzimeve për krijimin e modeleve elektrike.
Gjatë javës, Renault raportoi gjithashtu një rënie me 5% të të ardhurave, ndërsa Nissan tha se nuk do të arrijë objektivat vjetore. Prodhuesi më i madh në botë i makinave luksoze dhe kamionëve të mëdhenj, pret ende që të ardhurat përpara interesave dhe taksave të rriten lehtë këtë vit. Aksionet e Daimler ranë me 1.1%, në 57.5 euro në nisje të tregtisë.
Megjithatë, aksionet e kompanisë janë rritur me 25% që prej fillimit të vitit, duke tejkaluar rivalët gjermanë si BMW dhe Volkswagen.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.