Bilancet e dyta – Ekspertët: Ndalimi nuk e godet kreditimin
Që nga fillimi i vitit të ardhshëm, bankat do ta kenë të ndaluar të financojnë biznesin mbështetur mbi të ashtuquajturat “bilance të dyta”. Kjo ka qenë një nga pikat e planit për uljen e kredive me probleme, të vitit 2015. Prej atëherë, bankat po përgatiten për këtë hap mjaft domethënës në drejtim të uljes së rreziqeve dhe formalizimit të marrëdhënies mes sipërmarrjes dhe sistemit financiar.
Muajin e kaluar, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë bëri apel që bankat të respektojnë rregullat e reja, ndërsa kryeministri Rama paralajmëroi se organet tatimore do të kontrollojnë edhe në banka për pasqyrat financiare që biznesi dorëzon aty. Ai la të kuptohet se do të ketë ndëshkime, në rast se zbulohen të dhëna të ndryshme nga bilanci zyrtar, i dorëzuar pranë administratës tatimore.
Por, nga ana tjetër, kjo pikë kthese mund të shtrojë probleme lidhur me kreditimin e biznesit. Ndonëse bankat e mbështesin këtë nismë, në favor të formalizimit të ekonomisë dhe krijimit të një marrëdhënieje transparente dhe të besueshme me kompanitë, mes tyre ekziston një shqetësim se mosmarrja parasysh e pasqyrave të ndryshme nga ato zyrtare mund ta vështirësojë financimin për shumë sipërmarrje. Ky mund të jetë një faktor frenues në procesin e përtëritjes së kreditimit për ekonominë.
Megjithatë, ekspertët e kontabilitetit mendojnë se heqja e bilanceve të dyta nuk do të ketë një rol shumë të rëndësishëm në kreditimin e bizneseve. Sipas tyre, kjo praktikë ishte e dëmshme, sepse përveçse ekspozonte bankat ndaj rreziqeve të larta, për shkak se të dhënat jo zyrtare të kompanive janë të vështira për t’u verifikuar. Përveç rrezikut të shtuar kreditor, kjo sjellje i bënte edhe bankat bashkëfajtore në evazionin fiskal të firmave private.
Eksperti Ilir Binaj është i mendimit se tashmë bankat kanë krijuar një tashmë një informacion domethënës për sektorët dhe kompanitë e rëndësishme të ekonomisë. Rrjedhimisht, eliminimi i pasqyrave financiare dytësore nuk do të shkaktojë probleme shumë të mëdha për to. Gjithashtu, ai nënvizon se, në huadhënien afatgjatë, bankat mbështeten kryesisht në besueshmërinë e projektit të investimit.
Lidhur me sektorët e ekspozuar më shumë ndaj rrezikut të evazionit, ai mendon se në krye qëndron tregtia, veçanërisht në hallkën e fundit të shitjes me pakicë. Sipas tij, ulja e pragut të regjistrimit në TVSH, në vetvete, nuk do të ketë ndonjë ndikim n drejtim të uljes së evazionit fiskal, sepse bizneset do të tentojnë edhe më shumë drejt shmangies së taksave, njëlloj si më parë. Sipas tij, përcaktues në thelb do të jetë kontrolli dhe vullneti shtetëror për të zbatuar ligjin.
Vitin e ardhshëm biznesi me xhiro vjetore mbi dy milionë lekë do të përfshihet në skemën e TVSH-së, masë kjo që synon të rrisë të ardhurat tatimore, të ulë evazionin dhe të formalizojë më tej ekonominë. Megjithatë, ekspertët janë dyshues se kjo lëvizje në vetvete do të jetë e dobishme kundër informalitetit. Në vitet e fundit, vendosja e pragjeve për pagesën e TVSH-së apo të tatim-fitimit ka nxitur më shumë manovrat nga bizneset dhe individët për të qëndruar brenda pragut përjashtues dhe për të mos paguar tatime.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.