Bilanci i dëmeve, Kollçaku në “PërTëFol: Kemi kërkuar ndihma nga NATO dhe BE
Mbi 4500 shtëpi të përmbytura, 65 ura të shembura, më shumë se 120 shkolla dhe dhjetëra biznese të dëmtuara është bilanci paraprak i pasojave të përmbytjeve të fundit.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, i ftuar në emisionin “PërTëFol, thekson se edhe pas tërheqjes së ujit nga zonat e përmbytura, banorët nuk duhet të kthehen menjëherë pasi ka rrezik të shembjes së shtëpive.
“Rreziku më i madh kaloi, megjithatë situata në qarkun e Fierit dhe Vlorës është problematike, për arsye se ka shumë banesa të dëmtuara, ka shumë shkolla, biznese, të cilat janë përmbytur nga uji, infrastruktura është e dobët. Kështu që popullsia të mos nxitohet të kthehet mbrapsht, port ë konsultohet me autoritetet e pushtetit lokal dhe me forcat e armatosura qoftë për sigurinë në rrugë, qoftë për sigurinë në banesat e tyre. Pasi ndenja për një kohë të gjatë në ujë mund të ketë dobësuar argjinaturat e banesave apo bizneseve, duke patur rrezik shembje apo fundosje etj.”
Pas tërheqjes së ujit, forcat e ushtrisë janë angazhuar me shpërndarjen e ndihmave në terren. Mbështetja e parë në vlerën 50 mijë euro ka ardhur nga fqinji ynë, Mali i Zi.
“Ne u kemi bërë thirrje ditën e hëne, u kemi dërguar në faxmesazh edhe Nato-s edhe Bashkimit Europian për ndihma në ato fusha dhe në ato zona dhe drejtime që ne kemi nevojë”.
Mbi 3 mijë forca të armatosura dhe afro 500 mjete të ushtrisë u përfshinë në operacionet e shpëtimit gjatë ditëve të fundit. Por efektivët do të vazhdojnë të jenë në terren, deri në rikuperimin e plotë të dëmeve.
Dafina Hysa/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.