Bilanci dramatik i Vetting – KPK: Nga shkurti 2018 u shkarkuan 52 gjyqtarë e prokurorë, 56 konfirmime
141 gjyqtarë e prokurorë kanë kaluar në harkun kohor të një viti në sitën e shkallës së parë të Vetting-ut, me pasoja aspak të lehta për gjyqësorin shqiptar. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka analizuar punën e trupave gjykuese nga data 8 shkurt 2018 deri në datën 30 prill 2019, të cilat kanë shkarkuar thuajse gjysmën e magjistratëve të kaluar në sitë.
Nga të dhënat zyrtare rezulton se Komisioni i pavarur i Kualifikimit ka dhënë në total 141 vendime, nga të cilat 56 vendime për konfirmimin në detyrë të 25 gjyqtarëve, 23 prokurorëve dhe 7 ndihmësve ligjorë/kandidatë për magjistratë; dhe 52 vendime për shkarkimin nga detyra të 31 gjyqtarëve, 19 prokurorëve dhe 2 ndihmësve ligjorë/kandidatë për magjistratë. Po ashtu, janë dhënë 10 vendime për ndërprerjen e procesit të 5 gjyqtarëve, 4 prokurorëve dhe 1 ish-këshilltari ligjor; ndërsa 8 vendime janë dhënë për pushimin e procesit të 3 gjyqtarëve, 1 prokurori dhe 4 ndihmësve ligjorë.
15 vendime të tjera janë marrë për përfundimin e procesit pa një vendim përfundimtar, për krye inspektoren e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, 10 gjyqtarëve dhe 4 prokurorëve.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë 133 vendime me unanimitet, ku të gjithë anëtarët e trupit gjykues kanë votuar në mënyrë të njëjtë dhe 8 vendime me shumicë votash.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.