Bilanci i Brexit – Kanë mbetur vetëm 6 muaj dhe negociatat janë ende larg
Data 29 Shtator shënon 6 muaj përpara se Britania të dalë nga Bashkimi Europian. Në referendumin e vitit 2016, 51.9% apo 17.4 milionë njerëz votuan për të dalë nga Europa, ndërsa 48.1%, apo 16.1 milionë britanikë kërkonin të qëndronin. Bashkimi Europian dhe Britania po diskutojnë kushtet e divorcit. Në 29 Mars 2017, Kryeministrja Theresa May, aktivizoi Nenin 50 të traktatit të Lisbonës, që është procesi ligjor që nis periudhën 2-vjeçare të negociatave.
May duhet të negociojë një marrëveshje për Brexit me Bashkimin Europian dhe më pas t’ia shesë partisë saj Konservatore që të fitojë një miratim në parlament. Ajo nuk ka arritur ende në dakordësi për kushtet e divorcit dhe plani i saj për tregtinë është refuzuar në mënyrë turpëruese nga Europa dhe vetë partia e saj. Kur May prezantoi propozimin e saj në samitin informal në Salzburg këtë muaj, liderët e Bashkimit Europian thanë se do të përpiqen të arrijnë në dakordësi gjatë Tetorit por paralajmëruan se nëse ajo nuk tërhiqet për tregtinë dhe kufirin e Irlandës deri në Nëntor, ata janë të përgatitur për daljen e ç’rregullt të Britanisë.
Europa ka insistuar për një klauzolë parandaluese në paktin e Brexit. Kjo do të mbajë Irlandën e Veriut nën mbikëqyrje ekonomike të Bashkimit Europian, nëse Londra dhe Brukseli dështojnë të bien dakord për të mbajtur të hapura kufijtë pas periudhës së tranzicionit në vitin 2020, një ide që May e ka kundërshtuar hapur. Britania do të dalë nga Europa në 29 Mars, 2019, në orën 23:00.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.