Bilanci i energjisë, INSTAT: Në 2017 u prodhua 36.6% më pak, importet u rritën me 86.3%

Thatësia e tejzgjatur gjatë vitit 2017 uli prodhimin e energjisë elektrike me 36.6% krahasuar me një vit më parë, duke ndikuar ndjeshëm në rritjen e importeve dhe rënien e eksporteve.
Sipas bilancit të energjisë, publikuar nga Instituti i Statistikave, prodhimi neto vendas gjatë 2017, është 4.525 GWh, nga 7.136 GWh energji të prodhuar në vitin 2016. Me rënie të prodhimit të energjisë elektrike kanë rezultuar të gjithë prodhuesit e energjisë, si hidrocentralet publike (-42,7 %) dhe hidrocentralet private dhe koncensionare (-21,3 %).
Nisur nga prodhimi i ulët, importet bruto u rritën me 86,3 %, ndërsa sasia e eksporteve bruto u ul me 73,9 %, krahasuar me vitin 2016. Ndërkaq, sipas INSTAT humbjet në rrjet pësuan përmirësim, duke pësuar një rënie me 5,5 % në raport me një vit më parë.
Edhe humbjet në shpërndarje në 2017-ën ranë 4,3 %, krahasuar me vitin e kaluar. Ndërkohë që, humbjet në transmetim ranë me 16,9 % dhe përbëjnë 8,4 % të humbjeve gjithsej në rrjet.
Sa i takon përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët, ky tregues u rrit me 8,9 %, duke arritur vlerën 5.563GWh, nga 5.108 GWh që ishte në vitin 2016.
Ndikimin më të madh në rritjen e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët, e kanë dhënë konsumatorët jofamiljarë, të cilët kontribuuan me +7,6 pikë përqindje, përkundrejt kontributit prej +1,3 pikë përqindje të energjisë së konsumuar nga konsumatorët familjarë.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.