Bilanci i energjisë për vitin 2021 – Prodhimi u 2-fishua dhe arriti mbi sasinë e konsumuar, por vendi importoi miliona euro energji
Rreth 8.96 milion mwh energji u prodhuan gjatë vitit 2021, teksa hidrocentralet e Kaskadës së Drinit dominuan prodhimin me 59.6% të sasisë totale. Sipas të dhënave të raportuara nga Enti Rregullator i Energjisë, në raport me një vit më parë hidrocentralet publike dhe ato publike kanë prodhuar gati 2-fish më shumë energji, teksa paralelisht sasia e konsumuar e energjisë arriti në 8.4 mln mwh, një shifër më e ulët sesa prodhimi total.
Por, pavarësisht këtyre shifrave, sipas autoriteteve shtetërore vendi ynë u prek nga kriza energjetike e Evropës, çka u pasua edhe me importe energjie, që për shkak të çmimeve në tregjet e huaja, shënua vlera rekord prej miliona eurosh.
Ndërkaq, edhe gjatë vitit 2021 vijoi prodhimi i energjisë nga centralet fotovoltaike, ndonëse sasia e gjeneruar është tejet e ulët në raport me energjinë e prodhuar nga burimet hidrike. Në total këto impiante prodhuan 40,756 mëh energji, duke treguar se diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë është ende larg, për sa kohë 2 projektet për ndërtimin e parqeve fotovoltaike në Karavasta dhe Spitallë nuk kanë nisur ende.
Ndërkaq, niveli i humbjeve në rrjetin e shpërndarjes për 12-mujorin arriti në 20.62% duke shënuar një përmirësim të lehtë në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku humbjet përllogariteshin në 21.48%. Niveli i arkëtimeve u rrit me 2.4% gjatë vitit që lamë pas, në raport me vitin 2020, duke u regjistruar në 97.4%, nga 95.8% që ishte një vit më parë.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.