Bilanci i fushatës-Partitë, 2049 mitingje për 24 ditë! Detajet e strukturave që mobilizohen me 25 qershor
Policia e Shtetit ka bërë publike sot ecurinë e deritanishme të fushatës zgjedhore ndërsa ka dhënë detaje të strukturave që do të mobilizohen me 25 qershor, ditë kur do të mbahen votimet në rang kombëtar. Drejtues i Lartë Altin Qato, që kryeson Departamentin e Rendit dhe Sigurisë Publike tha se 7 mijë e 40 punonjës të policisë janë trajnuar për detyrat që do të kryejnë gjatë zgjedhjeve.
Në total, forcat e rendit do të sigurojnë 5 mijë e 362 qendra votimi, 90 Komisione Zonale të Administrimit Zgjedhore dhe 9 Vende të Numërimit të Votave. Në zbatim të kërkesave të Kodit Zgjedhore, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka dërguar në KQZ listën me 5851 punonjësit e policisë që do të angazhohen në shërbim për ruajtjen e objekteve zgjedhore në të gjithë vendin. Po ashtu, 276 automjete civile do të përdoren në funksion të përmbushjes së detyrimeve të Policisë së Shtetit, për garantimin e rendit dhe sigurisë.
Qato tha se përveç punonjësve të Policisë në Drejtoritë Vendore, nga strukturat e disa njësive policore në Tiranë dhe Drejtorive të Kufirit dhe Migracionit do të dërgohen 1356 punonjës policie në funksion të procesit zgjedhor dhe do të vihen në dispozicion 65 automjete.
Nga ana tjetër është përgatitur dhe miratuar Urdhri i Përbashkët i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Ministrit të Mbrojtjes, Urdhri i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, për marrjen në ruajtje të 93 objekteve të rëndësishme që sigurohen me punonjës policie, nga forcat ‘Komando’. Rreth 270 punonjës të Policisë të objekteve do të lirohen nga detyra për sigurimin e tyre dhe do të marrin detyra për procesin zgjedhor. Në bashkëpunim me Gardën e Republikës është hartuar dhe po ndiqet Plani i Bashkëveprimit, për marrjen e masave të sigurisë së Personaliteteve të Larta Shtetërore.
Krahas përgatitjeve për sigurinë e procesit zgjedhor, Policia e Shtetit ka dhënë detaje për ecurinë e fushatës zgjedhore. Referuar të dhënave të publikuara nga data 26 maj – 18 qershor, është përballuar një ngarkesë pune për mbarëvajtjen e rreth 2.049 aktiviteteve elektorale, duke aktivizuar 9.443 punonjës policie me 19.600 orë shërbimi, 1.836 automjete ndërsa nuk është shënuar asnjë incident gjatë këtyre aktiviteteve, raporton SCAN.
Nga ana tjetër, nga strukturat policore në bashkëpunim me Prokuroritë e rretheve gjyqësore janë trajtuar dhe po hetohen 14 vepra penale, ngjarje të dyshuara si vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve. Konkretisht, 6 vepra penale janë regjistruar me akuzën e pengimit të subjekteve zgjedhore, 3 vepra penale korrupsion aktiv në zgjedhje, 5 vepra penale kanosje apo dhunim i pjesëmarrësve në zgjedhje. Në këto ngjarje janë përfshirë 24 autorë, 4 prej tyre janë arrestuar, 16 ndiqen në gjendje të lirë dhe 4 persona janë shpallur në kërkim.
“Shqetësim kemi patur raste të vendosjes së materialeve propagandistike nga subjekte të ndryshme elektorale, në kundërshtim me Ligjin Nr.90/2017 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 8580 datë 17.02.2000 “Për partitë politike”, i ndryshuar, si dhe Udhëzimin e KQZ Nr. 1 datë 31.05.2017 “Për përdorimin e materialeve propogandistike dhe vendet e afishimit të tyre gjatë fushatës zgjedhore”. Për këtë, i kemi kërkuar TASK FORCËS në Kryeministri që pushteti vendor të luajë rolin e vet në ndjekjen e këtij problemi. Policia e Shtetit është e gatshme për ushtrimin e përgjegjësive të saj edhe në këtë drejtim, për realizimin e bashkëpunimit dhe të mbështetjes së organeve të qeverisjes vendore për mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore” tha Qato.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.