Bilanci tregtar, “gropa” thellohet…por investimet e huaja vazhdojnë ta mbulojnë
Deficiti i llogarisë korrente po përkeqësohet ndjeshëm këtë vit dhe është një nga faktorët që e kanë tkurrur rritjen ekonomike të vendit. Sipas Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e dytë të vitit deficiti i llogarisë korrente arriti në 273 milionë euro, 62% më shumë krahasuar me një vit më parë. Në terma realë, deficiti korrent u vlerësua në nivelin 7.6% ndaj PBB-së, ose 2.6 pikë përqindjeje më i lartë se i njëjti tremujor i një viti më parë.
Pozicioni i llogarisë korrente përfaqëson bilancin mes hyrjes dhe daljes së valutës në ekonomi, nga tregtia e mallrave, shërbimeve, nga turizmi e udhëtimet, të ardhurat nga puna, si edhe të ardhurat dytësore, ku përfshihen edhe remitancat. Deficiti i llogarisë korrente nënkupton se ekonomia importon më shumë mallra e shërbime nga sa eksporton; kjo nënkupton se nga ekonomia shqiptare del më shumë valutë nga sa hyn. Arsyeja kryesore pse Shqipëria ka një bilanc negativ të llogarisë korrente është deficiti i thellë tregtar në mallra, deficit që në tremujorin e dytë u rrit me 14%. Këtë vit deficiti po thellohet sidomos për shkak të përmbysjes së bilancit tregtar të energjisë elektrike krahasuar me vitin e kaluar, por edhe me një ecuri më të dobët të eksporteve shqiptare në përgjithësi.
Pjesërisht, deficiti i mallrave mbulohet nga bilanci pozitiv i shërbimeve: më konkretisht, fasoneria, shërbimet outsourcing dhe turizmi ndihmojnë pjesërisht në uljen e deficiti tregtar të mallrave. Në shërbime, Shqipëria ka një bilanc tregtar pozitiv, por që sigurisht nuk mjafton për mbuluar hendekun e thellë tnë tregtinë e mallrave.
Deficiti i llogarisë korrente në vitet e fundit është mbuluar nga llogaria financiare dhe kapitale, kryesisht falë flukseve të mëdha të investimeve të huaja direkte. Investimet e huaja u rritën me 19% në tremujorin e dytë, ndërsa flukset hyrëse neto në llogarinë financiare dhe kapitale mbuluan në masën 133% deficitin e llogarisë korrente. Financimi i deficitit të llogarisë korrente përmes llogarisë financiare i mundëson ekonomisë shqiptare të plotësojë nevojën për valutë për të vazhduar të importojë mallra nga jashtë vendit.
Njëkohësisht, ajo mundëson edhe ruajtjen e balancave në kursin e këmbimit valutor. Në vitet e fundit, suficiti i llogarisë financiare ka qenë ndjeshëm më i lartë se deficiti i llogarisë korrente, çka, në vija të përgjithshme, shpjegon tendencën e forcimit të lekut ndaj euros.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.