Bileta elektronike për urbanët, brenda vitit ndryshime në transportin publik
Brenda vitit 2017 të gjithë qytetarët që përdorin transportin publik urban do të udhëtojnë duke përdorur biletat elektronike, duke shmangur kështu ndjeshëm abuzimet në këtë sektor.
Kjo është një praktikë e njohur në vendet europiane, dhe duket që më së fundmi do të jetë realitet edhe në kryeqytet ku ka një sëre linjash urbane private që operojnë. Bashkia parashikon, që në kuadër të modernizimit të transportit publik, hartimin, testimin dhe zbatimin e biletimit elektronik gjatë 2017-ës.
Nga ana tjetër, Bashkia e Tiranës parashikon gjithashtu që në kuadër të reformës së re administrativo territoriale dhe zgjerimit të Tiranës, brenda vitit 2017, të rikonceptohen dhe ristrukturohen linjat e transportit urban në përputhje me ndarjen e re territoriale.
Lidhur me këtë, vitin që lam pas u mor një vendim për rikonceptimin e linjave, duke i reduktuar ato në 15, por që ende nuk është implementuar në terren.
Ndërkohë që për të reduktuar trafikun e rënduar në kryeqytet, është menduar që linjat e transportit ndërqytetas dhe ndërkombëtar të transferohen jashtë unazës së mesme, deri në ndërtimin e terminaleve të udhëtarëve.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.