“Binjakja” e Alitalias – Cathay Pacific në krizë të thellë, nis shkurtimet
Kompanitë tradicionale të transportit ajror janë zhytur në një krizë nga e cila duket se nuk ka shpëtim. Këtë nuk e konfirmon vetëm kolapsi i Alitalias, pasi situata shkon përtej Europës.
Cathay Pacific, një ndër kompanitë më të mëdha ajrore të Hong Kongut ka njoftuar një plan ekstrem shkurtimesh, pasi po vuan konkurrencën e kompanive të vogla dhe kryesisht atyre low-cost kineze, një situatë kjo thuajse e njëjtë me atë të Alitalias.
Cathay Pacific do të shkurtojë 600 vende pune, dhe pjesa më e madhe prej tyre do të jenë drejtues të lartë. Kjo, pasi pagat e tyre janë tepër të kushtueshme për kompaninë. Ky plan projektohet të kursejë rreth 64 milionë dollarë.
Air China zotëron 30% të aksioneve te kompania, dhe shumëkush akuzon pikërisht gjigandin kinez, për situatën në të cilën ndodhen tashmë rivalët e Cathay Pacific. Por, kompania prej thuajse 10 vitesh është në një krizë të thellë financiare.
Por, ndryshe nga Alitalia, gjërat për kompaninë nga Hong Kongu duket se janë vënë më mirë, pasi tregu aziatik i transportit ajror është në zgjerim të ndjeshëm, dhe ofron një potencial të jashtëzakonshëm.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.