Biontech dhe Pfizer prodhojnë vaksinën e përshtatshme për variantin Omikron!

Kompania farmaceutike Biontech ka prodhuar një vaksinë të përshtatshme për variantin e ri Omikron dhe sipas drejtorit të përgjithshëm, Ugur Sahin, një studim klinik për vaksinën do të fillojë në fund të janarit. Vaksina e modifikuar , sipas Biontech, mund të jetë gati për tu shpërndarë që në muajin mars nëse arrihet të merren autorizimet administrative përkatëse.
Agjencia Europiane e Medikamenteve nuk ka deklaruar ende nëse e konsideron të nevojshme një vaksinë të përshtatshme për Omikron me një përbërje të ndryshme nga vaksinat egzistuese aktualisht.
BioNTech ka zhvilluar gjithashtu me kompaninë britanike InstaDeep një sistem paralajmërimi të hershëm për zbulimin e varianteve me rrezik të lartë të koronavirusit.
Kompania e ka zhvilluar metodën e re llogaritëse, për të parashikuar variantet me rrezik të lartë të SARS-CoV-2 dhe ky wshtë një lloj sistemi i paralajmërimit të hershëm i bazuar në të dhënat e llogaritura nga inteligjenca artificiale (AI). Varianti Omikron shumë ngjitës u klasifikua nga sistemi si një variant me rrezik të lartë në ditën e parë që ishte e disponueshme sekuenca e tij.
Metoda e re kombinon strukturën e proteinës Spike me algoritmet e AI për të identifikuar variantet potencialisht të rrezikshme të virusit në më pak se një ditë, shpjegoi BioNTech. Për ta bërë këtë, sistemi përdor informacion nga bazat e të dhënave të sekuencës Covid, si p.sh. përshtatshmërinë virale të virusit dhe karakteristikat e tij pushtuese imune.
Varianti i vërejtur së fundmi në Francë u vlerësua gjithashtu nga sistemi i ri dhe rezultatet tregojnë se aftësia e tij për të anashkaluar sistemin imunitar është e ngjashme me atë të variantit Omikron, por sipas BioNTech, kjo e bën atë më pak shqetësues duke pasur parasysh të dhënat aktuale. DW
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.