Bisedimet BE – Japoni, drejt përfundimit marrëveshja e tregtisë së lirë

Ministri i Jashtëm i Japonisë, Fumio Kishida, u takua me Komisioneren europiane për Tregtinë, Cecilia Malmstrom, në përpjekje për të finalizuar Marrëveshjen e Partneritetit Ekonomik (EPA).
Japonia dhe Bashkimi Europian kanë qenë në bisedime për paktin e tregtisë së lirë që prej vitit 2013, për të promovuar tregtinë dhe investimet, duke eliminuar tarifat dhe përmirësuar rregullat për investimet. Megjithatë, bisedimet janë përshpejtuar gjatë kohëve të fundit, për të tejkaluar barriera përfshirë tarifat për automjetet dhe pjesët e makinave japoneze si dhe produktet ushqimore të Bashkimit Europian.
Nënshkrimi i një marrëveshjeje me Bashkimin Europian, që përbën për rreth 10% të totalit të tregtisë së huaj në Japoni, është një nga objektivat kryesorë të Kryeministrit Shinzo Abe, nën programin e tij ekonomik të quajtur “Abenomics”.
Marrëveshja BE-Japoni ka marrë rëndësi më të madhe kur Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tërhoqi vendin nga Partneriteti i Trans-Paqësorit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.