Bisedimet për programin atomik – Irani insiston për eksportet e naftës!
Perëndimi do ta pengojë Teheranin në ndërtimin e armëve bërthamore. Republika Islamike në fillim të raundit të ri të bisedimeve formulon kushtet e saj.
Irani hyn në raundin e ri të bisedimeve për riaktivizimin e marrëveshjes ndërkombëtare të vitit 2015 për programin bërthamor me kërkesën për shfuqizimin e sanksioneve të SHBA-së. Gjatë bisedimeve në Vjenë që nga e hëna sërish po diskutohet për kufizimin e programit bërthamor të Iranit të kërkuar nga Perëndimi. Qëllimi është që të pengohet Republika Islamike në ndërtimin e armëve bërthamore.
Uashingtoni më 2018 nën drejtimin e ish-presidentit Donald Trump u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja për armët bërthamore dhe vendosi sanksione ndaj Iranit. Embargoja e naftës dhe kufizimet në qarkullimin e pagesave i kanë hequr Iranit burimin më të rëndësishëm të të ardhurave. Duke iu kundërvënë këtyre masave Irani pas një afati pritjeje një vjeçare gradualisht i tejkaloi vijat e kuqe të përcaktuara nga marrëveshja. Ndër të tjera uraniumi tani pasurohet deri në kuotën 60 %. Kjo kuotë është fare pranë përqindjes së pastërtisë së uraniumit të nevojshëm për kapsulat shpërthyese atomike.
Ndonëse kreu i programit bërthamor iranian Mohammed Eslami e ka përjashtuar pasurimin deri në 90 % të uraniumit të përshtatshëm për armë bërthamore edhe nëse bisedimet dështojnë, SHBA megjithatë bëjnë fjalë për sanksione të tjera, në rast se nuk arrihet një kompromis.
Ndër pikat e mosmarrëveshjeve, që duhen zgjidhur në Vjenë, janë jo vetëm hapat për shtensionim nga të dyja palët, por edhe rendi i këtyre hapave që duhen ndërmarrë. Irani kërkon, që SHBA fillimisht të tërheqë sanksionet dhe insiston për garanci, që Uashingtoni të mos tërhiqet sërish nga marrëveshja.
Deri tani në shtatë raundet e bisedimeve Irani dhe SHBA-ja nuk kanë mundur të arrijnë në marrëveshje pavarësisht përpjekjeve për ndërmjetësim nga Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Rusia dhe Kina. Përfaqësues të SHBA-së nuk marrin pjesë direkt as në raundin e ri që po zhvillohet në kryeqytetin e Austrisë, por ata janë të lidhur me bisedimet në mënyrë indirekte.
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.