Bitcoin bie poshtë 30 mijë dollarëve / Nga tregu i kriptovalutave “fshihen” 98 miliardë dollarë në 24 orë
Bitcoin ka rënë poshtë nivelit të 30 mijë dollarëve, për herë të parë që nga 22 qershori, duke rrëzuar njëkohësisht edhe kriptovalutat e tjera. Ndërkohë, rreth 98 miliardë dollarë janë “fshirë” nga i gjithë tregu i kriptomonedhave brenda 24 orëve të fundit, sipas të dhënave të CoinMarketCap. Bitcoin humbi rreth 6% të vlerës, Ethereum ra me rreth 9% dhe Ripple humbi 10% të vlerës. Rënia e Bitcoin u ndikua nga shitja masive në tregjet e aksioneve, ndërsa indeksi Dow Jones realizoi humbjet më të mëdha ditore që nga tetori i vitit të kaluar. Investitorët janë të shqetësuar mbi rimëkëmbjen e ekonomisë globale dhe për rreziqet që mund të vijnë nga tregu i borxhit. Që kur Bitcoin preku nivelin më të lartë të të gjitha kohërave në mes të prillit, prej 65,000 dollarë, ka humbur rreth 50% të vlerës. Rregullat e reja në Kinë mbi tregtimin e kriptovalutave gjithashtu, kanë ndikuar në rënien e çmimit të Bitcoin. Këto rregulla kanë detyruar shumë biznese që gjeneronin kriptovalutën që të mbyllen, ndërkohë që edhe procesi i “mining” është bërë shumë i vështirë për shkak të konsumit shumë të madh të energjisë. Gjithashtu, Banka Qendrore e Kinës ka diskutuar me kompanitë financiare dhe të teknologjisë, duke u kujtuar atyre se nuk duhet t’i ofrojnë konsumatorëve shërbime që janë të lidhura me kriptovalutat. Analistët shprehen se tashmë që Bitcoin ra poshtë 30 mijë dollarëve, mund të shkojë edhe më poshtë, në intervalin mes 22 mijë dhe 24 mijë dollarëve.
Lidion Kulla – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.