Bitcoin bie poshtë $7000 – Në rënie edhe monedhat e tjera dixhitale
Monedha dixhitale, Bitcoin ka shënuar një rënie me rreth 50% që nga fillimi i vitit, duke zbritur në nivelin e 7000 dollarëve ditën e premte. Më pak se katër muaj më parë vlera e Bitcoin regjistrohej pranë 20 000 dollarëve. Humbjet e fundit janë rrjedhojë e lëvizjeve për rritjen e rregullimit të kripto-valutave në Europë dhe Azi.
Në Japoni, dy shkëmbime virtuale të monedhave u mbyllën këtë javë nga rritja e kontrollit nga mbikëqyrësi i shërbimeve financiare të vendit. Platformat tregtare, Z. Exchange dhe Tokio Gateway nuk arritën të siguronin një licencë nga Agjencia e Shërbimeve Financiare të Japonisë.
Japonia është një nga vendet ku shpërtheu vitin e kaluar tregtia e Bitcoin dhe monedhave të tjera dixhitale. Pothuajse gjysma e tregtisë globale të kohëve të fundit në Bitcoin u krye në jen japonez, sipas ‘Crypto Compare.’
Qeveria japoneze njohu zyrtarisht Bitcoin si një formë të monedhës vitin e kaluar dhe filloi licencimin e shkëmbimeve. Por rregullatorët kanë rritur shqyrtimin e industrisë pasi rreth 530 milionë dollarë në monedhën dixhitale është vjedhur nga një shkëmbim në janar.
Rregulla të reja në Evropë që kufizojnë sasinë e parave që investitorët mund të marrin hua për të blerë kriptovalutën mund të peshojnë gjithashtu në çmimin e Bitcoin, tha Stephen Innes, kreu i tregtisë Azi-Paqësor në ndërmjetësin e monedhës Oanda, duke shtuar se çmimi i tij mund të bjerë sërish.
Monedha të tjera të njohura virtuale si Ethereum dhe Ripple gjithashtu kanë shënuar rënie kohët e fundit. Disa ditë më parë, Twitter njoftoi se nuk do të lejojë më reklama që lidhen me kriptovalutat. Facebook dhe Google kanë njoftuar gjithashtu ndalimin e reklamave të ngjashme.
Komisioni amerikan i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve ka tentuar të frenojë tregtinë e kriptovalutave në muajt e fundit, duke thënë se investitorët duhet t’i blejnë dhe t’i shesin vetëm në shkëmbimet e regjistruara.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.