Bitcoin i afrohet përsëri 60,000 dollarë – Investitorët presin fondin e parë të listuar në bursë në SHBA
Bitcoin arriti nivelin më të lartë në 6 muaj në tregtinë e së Premtes, duke i’u afruar rekordit të muajit Prill përtej 60,000 dollarëve, ndërkohë që tregtarët kanë besim se rregullatorët amerikanë, do miratojnë një fond të listuar në bursë që bazohet tek kriptovaluta. Bitcoin u rrit me 4% në 59,664 dollarë, që është niveli më i lartë që prej mesit të Prillit.
Kriptovaluta është dyfishuar në vlerë këtë vit dhe ndodhet pranë nivelit rekord prej 64,895 dollarë të muajit Prill. Komisioni i Bursave dhe Letrave me Vlerë në SHBA, pritet të lejojë fondin e parë të listuar në bursë (ETF) me kontrata futures të bitcoin, që të nisë tregtimin javën e ardhshme, sipas raportimeve mediatike me njohuri për çështjen. Tregtimet ditën e Premte u nxitën gjithashtu nga një postim në Twitter të zyrës së edukimit të investitorët të Komisionit (SEC).
“Përpara se të investoni në një fond që mban kontrata futures të Bitcoin, sigurohuni se keni vlerësuar rreziqet e mundshme dhe përfitimet”- shkroi në Twitter Komisioni i Bursave dhe Letrave me Vlerë. Investitorët e kriptovalutave kanë qenë në pritje për lajme mbi miratimin e fondit të parë në bitcoin. Shumë menaxherë të fondeve kanë aplikuar të nisin një ETF me bitcoin në SHBA.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.