Bitcoin rritet sipër 39,000 USD – Hera e parë në 6 Javë. Tregu i kriptovalutave shton $114 mld në 24 orë
Bitcoin ka kaluar 39,000 dollarë për të parën herë që prej mesit të Qershorit, ndërkohë që është rikthyer optimizmi tek kriptovalutat. Kriptovaluta tregtohej në rreth 38,100 dollarë, në rritje me 11%, pasi preku 39,544 dollarë, që ishte niveli më i lartë që prej 16 Qershorit.
Fuqizimi i Bitcoin ndikoi edhe tek kriptovalutat e tjera, me ethereum që u rrit me 5.9% sipër 2,299 dollarë. I gjithë tregu i monedhave shtoi 114 miliardë dollarë në vlerë brenda 24 orëve, sipas të dhënave nga Coinmarketcap. Kjo rimëkëmbje vjen pasi bitcoin ra së fundmi i poshtë 30,000 dollarë dhe investitorët shqetësoheshin për rënie të mëtejshme. Kreu i Twitter, Jack Dorsey, ekzekutivi i Tesla, Elon Musk dhe Cathie Wood e ARK Invest, kanë folur së fundmi gjatë një konference mbi bitcoin.
Musk tha se Tesla me shumë mundësi do të nisë të pranojë bitcoin për blerjet e makinave përsëri, ndërkohë që një pjesë e gjenerimit të bitcoin po bëhet përmes teknologjisë së gjelbër. Në muajin Maj, Tesla pezulloi blerjet e makinave me kriptovalutën, prej shqetësimeve të përdorimit të lëndëve djegëse fosile në gjenerimin e bitcoin.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.