Bizneset, 1 muaj afat për deklarimin e të dhënave – Nga vendndodhja, tek kontratat e ujit dhe dritave, ndryshe gjobiten
Të gjitha bizneset që operojnë në vend kanë afat 1 muaj për të përditësuar të dhënat e tyre, në të kundërt do të gjobiten. Administrata tatimore u bën apel tatimpaguesve që të përditësojnë, në sistemin e-filing, të dhënat e tyre, në lidhje me çdo adresë apo vend të ushtrimit të aktivitetit, të regjistruar më parë sipas legjislacionit tatimor në fuqi.
Sipas njoftimit të tatimeve, në llogarinë e deklarimit elektronik, e-filing në prej datës 1 Tetor 2020, subjektet do të kenë mundësinë që, me disa hapa të thjeshtë, të plotësojnë informacionin e kërkuar në lidhje me pronësinë e mjedisit ku ushtrojnë aktivitet, dokumentin përkatës, sipërfaqen, natyrën e aktivitetit si dhe të japin të dhëna mbi kontratat e lidhura për furnizimin me ujë dhe energji elektrike.
Këto të dhëna kërkohen në kuadër të projektit të ri të fiskalizimit, i cili ka në thelb edhe reduktimin e informalitetit. Administrata Tatimore i bën thirrje të gjithë tatimpaguesve, të përditësojnë menjëherë, në mënyrë vullnetare, informacionin e kërkuar, brenda datës 1 nëntor 2020. Mosdhënia e këtij informacioni konsiderohet kundërvajtje administrative, dhe për secilin rast do të aplikohet gjoba sipas legjislacionit në fuqi.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.