Bizneset britanike përballë Brexit – Kërkojnë respektimin e rregullave të BE edhe pas daljes
Bizneset britanike kërkojnë gjerësisht që të mos devijojnë nga rregullat e Bashkimit Europian pas Brexit, sipas analizës më të detajuar për çdo sektor, mbi atë që kompanitë kërkojnë në negociatat për Brexit. Konfederata e Industrisë Britanike, që përgatiti të dhënat, argumenton se mundësitë e ofruara nga dalja prej rregulloreve të Bashkimit Europian, janë shumë më të vogla se kosto e humbjes së aksesit në tregun europian.
Ndërkohë që transporti detar, bujqësia dhe turizmi mund të përfitojnë nga ndryshimi i rregullave pas Brexit, 18 nga 23 industri dhe sektorë të shërbimit do të ishin në një pozitë më të mirë me rregullat aktuale të Bashkimit Europian. “Detyra e shbërjes së 40 viteve të integrimit ekonomik dhe rregullator është komplekse.
Për pjesën më të madhe të bizneseve, devijimi nga rregullat e BE do të ketë ndikim negativ në konkurrueshmërinë e tyre dhe duhet bërë vetëm nëse ka prova se përfitimet janë më të mëdha se kostot”, tha Carolyn Fairbairn, drejtoresha e Konfederatës së Industrisë Britanike. Raporti vë në dukje vështirësitë e Kryeministres Theresa May, ndërkohë që përpiqet të negociojë një Brexit që kënaq anëtarët pro-daljes brenda partisë Konservatore, pa dëmtuar tregtinë dhe investimet. Ajo synon të përfundojë marrëveshjen e divorcit në Vjeshtë, megjithatë, detajet e marrëdhënies së re tregtare pritet të zgjasin deri sa Britania të dalë nga blloku.
May ka identifikuar industrinë e kimikateve, barnave dhe aeronautikës, ndër ato që Britania kërkon të mbajë afër rregullave të Bashkimit Europian dhe ka përjashtuar peshkimin dhe bujqësinë ndër industritë që kërkojnë divergjencë. Ajo ka thënë gjithashtu se shërbimet financiare duhet të jenë pjesë e një partneriteti të ngushtë me Bashkimin Europian pas Brexit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.