Bizneset e huaja – Tkurren me 5.1% gjatë vitit 2016
Numri i ndërmarrjeve me kapital të huaj në ekonominë shqiptare pësoi rënie gjatë vitit të kaluar.
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, numri i ndërmarrjeve me pjesëmarrjen e kapitalit të huaj ra në rreth 5600, në rënie me 5.1% krahasuar me vitin 2015.
Në fakt, për vitin e kaluar u regjistrua një rënie e numrit të përgjithshëm të bizneseve aktive në ekonominë shqiptare, me 2.4% më pak krahasuar me një vit më parë. Nga kjo tendencë nuk kanë bërë përjashtim as numri i ndërmarrjeve të huaja, ku rënia është madje më e thellë.
Rreth 77% e ndërmarrjeve të huaja kanë përmasa të vogla, me më pak se katër individë të punësuar. Vetëm 308 ndërmarrje me kapital të huaj deklarojnë më shumë se 50 të punësuar.
Për sa i takon origjinës së kapitalit, struktura e ndërmarrjeve të huaja në ekonominë shqiptare dominohet nga sipërmarrja italiane. Për vitin 2016, ndërmarrjet me pjesëmarrjen e aksionerëve italianë ishin 2661 ose 47% e totalit. Italia ka një diferencë të thellë në raport me sipërmarrjet e vendeve të tjera, ku e dyta vjen Greqia me 9%, e më tej Kosova dhe Turqia me 8%.
Krahasuar me vitin 2015, vërehet një tendencë në rritje e numrit të bizneseve kosovare. Sipas INSTAT, janë gjithsej 442 sipërmarrje me kapital kosovar që zhvillojnë aktivitet në Shqipëri.
Struktura sipas aktivitetit për bizneset e huaja është e ngjashme me strukturën e përgjithshme të sipërmarrjes në Shqipëri dhe shumica janë të angazhuar në sektorët e shërbimeve.
Afro 73% e bizneseve të huaja punojnë në shërbime, ndërsa ato ndërmarrje që punojnë në prodhim kryesisht janë të angazhuara në industri dhe më pak në ndërtim apo bujqësi.
Ersuin Shehu/SCAN
Bizneset e vogla “mbysin” Shqipërinë dhe Kosovën – Rajoni shfrytëzon më mirë ndërmarrjet e mëdha
Bie numri i bizneseve, shtohen vetëm fermerët e regjistruar
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.