Bizneset e paguajnë shtrenjtë energjinë – ERE: Shqipëria lihet pas vetëm nga Greqia dhe Sllovakia, më e shtrenjta në vendet e Ballkanit
Edhe gjatë vitit 2020, Klientët jo familjarë në vendin tonë e paguajnë më shtrenjtë energjinë elektrike në raport me vendet e tjerë të Ballkanit Perëndimor. Të dhënat raportohen nga Enti Rregullator i Energjisë, bazuar në publikimet e Eurostat. Sipas këtyre të dhënave bizneset në Kosovë, Bosnje-Hercegovië, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi paguajnë më pak energjinë, çka rikonfirmon edhe njëherë ankesat e bizneseve shqiptare në këtë drejtim.
Por, Shqipëria renditet si vendi me çmimin më të shtrenjtë për sipërmarrjet edhe në raport me Slloveninë, Hungarinë Rumaninë dhe Kroacinë, duke u renditur kështu si një nga 3 vendet me çmimin më të shtrenjtë në raport me vendet e tjerë të rajonit, duke u lënë pas vetëm nga Greqia dhe Sllovakia. Më herët përfaqësuesit e bizneseve kanë kërkuar uljen tarifave të energjisë elektrike, pasi aktualisht ata janë më pak konkurrues në rapport me vendet e tjerë të rajonit.
Ndërkohë që, pak kohë më parë Ere miratoi objektivët strategjikë kryesorë përgjatë periudhës 2021-2023, ku ndër prioritetet e saj përfshihet edhe zhvillimi i një reforme tarifore nisur nga riorganizimi i tregut, për qëllim të së cilës parashikohet, analiza e problematikave të konstatuara pas miratimit të metodologjive dhe adresimi i zgjidhjeve përmes praktikave më të mira. Gjithashtu, parashikohet realizimi i një studimi në mënyrë që të vlerësohen mundësitë që çojnë në uljen e kostove për konsumatorët dhe mbështesin tranzicionin drejt liberalizimit të plotë etj.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.