Bizneset kërkojnë zanate – Rama: Reforma po ecën, ka ende punë

Raporti i lartë i të rinjve që disponojnë diploma universitare me ata që ndjekin arsimin profesional, është konsideruar nga kryeministri Edi Rama edhe si shkak për nivelin e papunësisë dhe që sipërmarrjet të jenë të pakënaqura.
Kryeministri ka theksuar se me reformën e ndërmarrë në arsimin profesional, gjërat kanë ndryshuar dhe tregu i punës do ketë së shpejti kualifikimet që kërkon.
“Shumica e kompanive të huaja që kërkojnë profesione të posaçme nuk e kanë luksin të bëjnë detyrën e shtetit. Nuk mund ta bëjnë. Dhe çfarë bëjnë? Zgjedhin rëndom që të shkojnë në vende të tjera të rajonit, pavarësisht se Shqipëria mund të jetë zgjedhja e tyre e parë. Dhe sot, kemi një ushtri jurishtësh që janë të papunë, ndërkohë që kemi vetëm në aksin nga Zogu i Zi, deri në dalje të këtij aksi, në çdo ndërtesë, vende të lira pune”, u shpreh Rama.
Kryeministri u ndal edhe në procesin e vettingut, ku theksoi se mungesa e kësaj reforme është bërë shkak për dështimin e investimeve strategjike në vend.
“Po nuk bëmë një sistem drejtësie që të jetë i besueshëm nuk mund të rrisim aq sa na duhet volumin e investimeve të huaja në Shqipëria. Investitorët në Shqipëri kanë 1001 arsye për ta parë Shqipërinë si një vend mundësish të mëdha në fusha ku ne jemi shumë të pasur nga natyra, por kanë një arsye për ta pasur frikë Shqipërinë: që ndërkohë që janë duke investuar, iu del përpara një Gjon, një Hysen, një Tom dhe iu thotë “Stop se jam unë këtu gjykatësi që ta bëj nul gjithçka që ti bën”, tha kryeministri.
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në Olimpiadën e Aftësive, ku përmendi faktin se është bërë shumë për të çuar përpara arsimin profesional, por se ka ende shumë për të bërë në këtë drejtim.
Rama kërkoi bashkëpunimin e sipërmarrjeve që të paguajnë nxënësit për praktikat profesionale. Në vitin 2016, 27 mijë nxënës, janë regjistruar në shkollat profesionale në vend.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.