Bizneset kosovare: Pa viza nuk na duhet Marrëveshja për Stabilizim Asoocim

Marrëveshja për Stabilizim Asoocim (MSA), është më tepër marrëveshje që ka mbet në letër se sa po zbatohet në praktikë. Pa liberalizim të vizave bizneset kosovare nuk mund t’i gëzohen kësaj marrëveshje. Procesi i aplikimit në ambasada të shteteve evropiane në Kosovë, kohëzgjatja e vizës janë disa nga problemet me të cilat ballafaqohen bizneset vendore.
Njazi Musliu, pronarë i kompanisë së përpunimit të metaleve “Eurometal”, është një nga shumë biznesmenët vendor që tregon vështirësitë që hasë gjatë procesit të pajisjes me një vizë me qëllim të lëvizjes së lirë në shtet e shengenit. Ai thotë se MSA-në nuk mund ta shijojnë pasi duhet me muaj për të pritur një termin për të aplikuar për një vizë. Ka raste kur vizat lëshohen për disa ditë qëndrimi, kjo ia vështirëson edhe më shumë punën, pasi me aq kohë sa ka vizë nuk mund t’i realizojë vizitat me kompanitë evropiane.
Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, thotë për KosovaPress se MSA nuk mund të zbatohet në plotësi përderisa qytetarëve dhe bizneseve nuk iu sigurohet lëvizja e lirë në shtetet e BE-së.
Ai ka shtuar se këta tre-katër muajt e fundit ka vërejtur më shumë ankesa nga ana e bizneseve për sa i përket vështirësive në sigurimin e një vize Shengen.
Ndërkaq, Mimoza Ahmetaj, ministre e Integrimeve Evropiane, ka thënë se nënshkrimi i MSA është dokumenti më i rëndësishëm për Kosovën. Ajo tha se janë duke punuar në atë drejtim që bizneset, studentet të kenë qarkullim më të lehtë të lëvizjes në shtete e BE-së. Edhe Pal Lekaj, shef i grupit parlamentar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se MSA nuk mund të implementohet pa liberalizmi të vizave.
MSA ka hy në fuqi me 1 prill të vitit të kaluar. Me këtë marrëveshje u mundësohet prodhuesve të Kosovës plasmini e mallrave të tyre në vendet e BE.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.