Bizneset, në treg të lirë energjie! Petrit Ahmeti: Metodologji e re, çmimi final do të vendoset nga OSHEE
Brenda 10 ditëshit të parë të qershorit, Enti Rregullator i Energjisë do të ketë gati metodologjinë e re që do të përdoret për përllogaritjen e çmimit, me të cilin e blejnë energjinë elektrike bizneset që kanë dalë në treg të lirë. Pas, ngritjes së shqetësimeve për luhatjet mujore të çmimeve dhe nivelin e lartë me të cilin paguhet kjo energji, kreu i ERE-s, Petrit Ahmeti tha se rregullorja e re synon që çmimi të vendoset nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
“Aktualisht ne jemi duke përditësuar metodologjinë e përllogaritjes së këtij çmimi jo duke miratuar çmimet por metodologjinë e përcaktimit të çmimit. Dhe do të ketë një strukturë pranë OSHEE që mbi bazën e të dhënave do të vendosë se sa do të jetë çmimi” u shpreh Ahmeti.
Aktualisht OSHEE luan rolin e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit, ndërkohë që çdo muaj Enti Rregullator i Energjisë përcakton çmimin me të cilin paguhet energjia. Deri më tani vetëm 18 biznese të lidhur në tensionin 35 kv janë shkëputur nga OSHEE, ndërkohë që statistikat flasin për rreth 90 biznese të lidhur në këtë tension.
Por, kjo shifër është më e lartë, nëse marrim parasysh faktin se edhe rreth 6000 biznese të lidhur në 20 kv do të kenë detyrimin për ta siguruar vetë energjinë, duke vijuar më tej edhe me kategoritë e tjera.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.