Bizneset shqiptare në kërkim të partnerëve prodhues nga Turqia – Vrull importesh në tekstile, makineri dhe mallra të tjerë

Një pjesë gjithmonë e më e madhe e produkteve që tregtohen në Shqipëri e kanë origjinën nga Turqia. Kjo mbështetet nga të dhënat e INSTAT mbi tregtinë e jashtme, ku rezulton se importet nga ky shtet kanë qenë në rritje progresive për të paktën 5 vitet e fundit.
Gjatë vitit 2017, plot 50.7 miliardë lekë në vlerë mallrash kanë hyrë në vendin tonë nga Turqia. Në vitin 2013, këto importe kishin një vlerë prej vetëm 32.9 miliardë lekësh, çka sot përbën një rritje prej 54,3%.

Tashmë Turqia është partneri më i madh në eksporte pas Italisë, duke lënë pas superfuqi ekonomike si Gjermania apo Kina.
Duket se ky trend do të vijojë dhe më shumë mallra turke do të hyjnë në Shqipëri edhe në vitet në vijim.
SCAN ka bërë një hulumtin në portalin e dedikuar për sipërmarrjet “Turkish Exporter”, ku kompanitë nga e gjithë bota aplikojnë për të krijuar kontakte me prodhues turkë, apo ku këta të fundit kërkojnë të gjejnë partnerë në vende të ndryshme për t’u zgjeruar.
Bizneset shqiptare kanë bërë plot 813 kërkesa në këtë portal dhe pavarësisht ekonomisë së vogël të vendit, renditemi mes shteteve me numrin më të lartë të aplikimeve.
Kërkesat bëhen në këtë formë: fillimisht tregohet emri i kompanisë që bën kërkesën, bashkë me llojin e veprimtarisë (kryesisht importues) dhe pozitën në tregun shqiptar e ballkanik të kësaj kompanie. Më pas shprehet nevoja për bashkëpunim, duke treguar mbi llojin e mallrave të kërkuar dhe volumin.
Sektorët më të nxehtë ku kërkohen prodhues turq janë industria tekstile dhe ajo e prodhimit të makinerive. Një interes të fortë ka edhe për industrinë e ndërtimit; atë të letrës, paketimit dhe printimit; si edhe industrinë ushqimore.
Këto interesa të sipërmarrjeve shqiptare reflektohen edhe në mallrat e importuara vjet nga Turqia, ku dominojnë pikërisht këto fusha. Tekstilet, veshjet dhe këpucët e importuara kapën vlerën e 16.2 miliardë lekëve dhe dominuan këtë treg së bashku me mallrat italiane.

Kërkesat në këtë portal janë në rritje të vazhdueshme dhe vetëm gjatë këtij viti janë listuar rreth 30 importues apo sipërmarrje të tjera shqiptare që kërkojnë partnerë në Turqi.
Ndërkohë, sa i takon listimeve për eksporte drejt Turqisë, ato kanë qenë shumë të kufizuara, duke regjistruar vetëm 7 kërkesa nga viti 2010 deri në vitin 2016. Në fakt, INSTAT tregoi se eksportet shqiptare në Turqi ranë nga 2.8 miliardë lekë në 2016 në 2.1 miliardë lekë vitin e kaluar.
Kjo solli një rritje të deficitit tregtar me këtë shtet në rreth 48 miliardë lekë, deficit i cili me shumë gjasa do të zgjerohet edhe gjatë 2018-ës.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.