Bizneset thirrje qeverisë: Të mos ketë shtrëngim të masave
Me rritjen e numrit të të infektuarve me koronavirus në Kosovë, janë paralajmëruar shtrëngim të masave.
Agim Shahinit, kryetarit të Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), thotë se mbyllja totale është hap i gabueshëm, pasi sipas tij, njerëzit duhet të punojnë, por njëkohësisht edhe të mësohen të jetojnë me virusin.
Shahini në një intervistë për ‘Ekonomia Online’, i ka sugjeruar institucioneve të vendit që mos të ketë mbyllje të kufijve ndërmjet Kosovës dhe vendeve të rajonit, pasi ekonomia e këtyre vendeve ndërlidhet njëra me tjetrën.
“Shtrëngimi i masave në kuptim jo të mbylljes janë të nevojshme, por mbyllje nuk do të ketë më asnjëherë, dhe nuk do t’i sugjerojmë institucioneve të Kosovës, që të mbyllet ekonomia siç ka qenë sepse është parë dhe vërtetuar se kjo ka qenë një hap i gabueshëm, sepse ne duhet të punojmë të jetojmë dhe duhet të mësohemi të jetojmë me virusin dhe me masat mbrojtëse, por ekonomia e vendit duhet të ec përpara pa mbyllje, pavarësisht çka ndodh në të ardhmen shtetet si Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi nuk duhet të mbyllen sepse ekonomia e saj është e lidhur, dhe qytetarët janë të lidhur në forma qoftë ekonomike apo kulturore sportive, dhe është parë që kjo ka qenë e dëmshme dhe ne duhet t’i marrim masat e shteteve të Bashkimit Evropian” është shprehur ai.
Mes tjerash ai ka shtuar se Pakot Ekonomike nga Qeveria janë të mirëseardhura, por nuk janë të mjaftueshme.
Ai ka thënë se ekonomia ka tkurrje prej 10%, gjithashtu dhe në qarkullim të brendshëm ka rënie e që për këtë kërkohet një pako stimuluese.
Sipas Shahinit, Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike ka ende nevojë për plotësim-ndryshime.
Artikulli origjinal: https://ekonomiaonline.com/ekonomi/bizneset-i-bejne-thirrje-qeverise-mos-te-kete-shtrengim-te-masave-te-mesohemi-me-virusin/
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.