Biznesi 1,5 trilion dollarësh që mund të largohet nga Londra në drejtim të BE

Londra shërben si një ndërmjetës mes blerësve dhe shitësve të produkteve financiare në euro, që luajnë një rol jetësor në ekonominë e Europës. Volumi që kalon nëpër Londër është i jashtëzakonshëm: pothuajse 1,5 trilion dollarë tregtohet çdo ditë.
Banka Qendrore Europiane ka kundërshtuar prej kohës zhvillimin e këtij aktiviteti në Mbretërinë e Bashkuar, pasi sipas saj, duhet të zhvillohet brenda grupit të 19 vendeve që përdorin monedhën. Tani që MB ka vendosur të lërë Bashkimin Europian përballja është ashpërsuar.
Londra është qendra e kleringut të pagesave që lehtësojnë tregtinë e këtyre produkteve. Më e madhja është London Clearing House, e cila kontrollohet nga grupi i Bursës së Londrës. Biznesi i tyre, i cili ndihmon tregjet të funksionojnë siç duhet quhet “klering euro”.
Por problemi është që Britania nuk e ka adoptuar kurrë euron, duke vendosur të vijojë të përdorë paundin. Kjo ka sjellë gjithmonë fërkime, dhe BQE është shprehur se diçka e tillë përbën një rrezik të madh që kanos sistemin financiar në tërësi.
“Vendndodhja e sistemit të klerimit ka qenë gjthmonë një temë e nxehtë, edhe para Brexit”, thotë Uuriintuya Batsaikhan nga think tank-u Bruegel. “Tani që MB do të largohet nga BE, kjo temë nuk do të qetësohet.
Përsakohë që Britani qëndronte në BE, banka qendrore nuk mund të detyronte Londrën të lëshonte biznesit. Por tani që Britani është gati ta lërë unionin, gjithçka mund të ndodhë.
“Kur mendon për të, është sikur shumica e tregtisë së bërë me dollar, të klerohej jashtë SHBA. Kjo do të ishte problematike”, thotë Batsaikhan.
Një nga zyrtarët më të lartë financiarë të Bashkimit Europian, Valdis Dombrovskis sugjeroi disa ndryshime të mundshme, gjatë një konference më herët gjatë javës. Ai nënvizioi dy skenarë.
- Britania mund të lejojë që BE të rregullojë ngushtësisht tregun e saj, edhe pas daljes nga BE, një opsion që që zor se do të gjejë mbështetje në qeverinë e Theresa May. Ajo është shprehur se Britania nuk do të jetë më subjekt as i Gjykatër Europiane të Drejtësisë.
- Alternativa tjetër është që BE mund të kërkojë që modeli i biznesit të lëvizë në një shtet tjetër brenda unionit. Kjo do të nënkuptonte se një tufë me sisteme të reja klerimi do të ndërtoheshin, për të përballuar volumin e madh të aksioneve dhe obligacioneve, si edhe produkteve financiare të bazuara në normat e interesit dhe këmbimin valutor, të cilat përfshihen në sistemin e klerimit të euros.
Dëmi më i madh për Londrën do të vinte nga vendet e punës që do të zhdukeshin. Ndonëse njerëzit që janë të punësuar direkt në sistemin e klerimit janë vetëm me qindra, infrastruktura mbështetëse është masive.
Kreu i Bursës së Londrës, Xavier Rolet, tha në Shtator se një minimum prej 100 mijë vendesh pune në banka dhe institucione të tjera financiare janë në rrezik nëse euro largohet nga qyteti.
Angelo Haruni/SCAN
JP Morgan zhvendos qindra vende pune nga Mbretëria e Bashkuar për shkak të Brexit
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.