Biznesi ankohet për tenderët – Në 2018-ën u depozituan 1158 ankesa, lista kryesohet nga Tatimet dhe Posta
1158 ankesa janë depozituar pranë Komisionit të Prokurimit Publik për procedurat tenderuese përgjatë vitit 2018. Sipas raportit vjetor të këtij dikasteri, në krahasim me vitin 2017 është vënë re një rritje me rreth 1% e numrit të ankimeve administrative. Ndërkohë që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Posta Shqiptare janë 2 institucionet që kryesojnë listën me numrin më të madh të ankesave për procedurat tenderuese të zhvilluara prej tyre.
Sipas raportit, këto institucione kanë numrin më të madh të ankesave në lidhje me dokumentet standarde të tenderit, çka do të thotë se kompanitë kanë gjykuar si problematike kriteret e vendosura për përftimin e një tenderi, si dhe për vlerësimin e ofertave të paraqitura nga kompanitë. Ndërkaq, sikurse edhe një vit më parë, tenderët “Për Shërbimin e Ruajtjes së Sigurisë Fizike” zë numrin më të lartë të ankesave, me 53.6 % të totalit.
Nga ana tjetër, Komisioni i Prokurimit Publik ka marrë vendime lidhur me ankesat e paraqitura për procedura të cilat, në total, referuar fondit limit të prokuruar, arrijnë një vlerë prej 18.8 mld lekë lekë, nga totali prej 129.8 miliard lekë të publikuara për prokurim, çka do të thotë se 14.5 % e fondit limit total të publikuar për prokurim, është shoqëruar me ankesa në procedurat përkatëse.Referuar 6 intervaleve të fondeve limite të procedurave të prokurimit/ankandeve/lejeve minerare dhe koncesioneve/PPP, konstatohet se 45.68 % e ankesave të administruara pranë KPP-së gjatë vitit në raportim, lidhen me procedurat me fond limit nga 1,000,001- deri në 5,000,000 lekë pa TVSH.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.