Biznesi Cloud “nxit” rezultatin e Microsoft – Puna nga shtëpia gjatë pandemisë rrit kërkesën për shërbimet e kompanisë
Microsoft theu projeksionet e Wall Street për rezultatin tremujor, prej kërkesës së nxitur nga pandemia për shërbimet cloud dhe pajisjeve për lojëra, ndërkohë që bizneset janë zhvendosur në punim në distancë dhe njerëzit janë zbavitur në shtëpi. Porositë për shërbimet cloud të ofruar nga Microsoft, Amazon dhe Google Cloud, janë rritur që prej vitit të kaluar, kur Covid-19 mbylli zyrat dhe shkollat, duke zhvendosur më shumë aktivitet online. Microsoft theksoi se të ardhurat nga njësia gjithnjë e në rritje “Inteligent Cloud”, u rritën me 31% në 17 miliardë dollarë.
Rritja e të ardhurave për Azure, biznesin kryesor cloud të kompanisë, arriti në 48%, duke thyer projeksionet për 47.5%. Norma e rritjes së Azure është masa më e mirë direkte e konkurrencës me rivalë si AWS dhe Google Cloud, ndërkohë që Microsoft nuk detajon të ardhurat nga njësia. “Ne kemi ofruar një nisje të fortë të vitit fiskal me Microsoft Cloud që ka gjeneruar 20.7 miliardë dollarë të ardhura për tremujorin, në rritje me 36% me bazë vjetore”- deklaroi Amy Hood, zv/presidente dhe shefe e financave tek Microsoft.
Të ardhurat tek 2 njësitë më të vogla të biznesit të kompanisë, që mbajnë software-in Windows, shërbimin e mesazheve Teams dhe platformën LinkdIn, thyen gjithashtu projeksionet. Në total , të ardhurat u rritën me 22% në 45.4 miliardë dollarë në tremujorin që përfundoi më 30 Shtator, nxitur gjithashtu nga shitjet e forta të Xbox. Video lojërat kanë pasur gjithashtu rritje që kur pandemia detyroi miliona njerëz të kërkojnë zbavitje në shtëpi.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.