Biznesi dhe filantropia – Bankat dhe telekomunikacionet më aktivët

Bankat dhe telekomunikacionet janë sektorët e biznesit më të përkushtuar ndaj filantropisë. Organizata “Partnerët-Shqipëri” prej pesë vjetësh kryen një monitorim të aktivitetit filantropik në Shqipëri. Nga ky monitorim rezulton se kompanitë e sektorëve strategjikë të ekonomisë bëjnë më shumë për nevojat e komunitetit. Juliana Hoxha, drejtore e “Partnerët-Shqipëri”, thotë se aktiviteti filantropik adresohet kryesisht tek nevojat e fëmijëve dhe të shtresave më të varfra të popullsisë.
“Bizneset që dhurojnë më shumë, në fakt janë sistemi bankar dhe telekomunikacioni, që mbeten edhe industritë më fitimprurëse në vend. Për sa i përket grupeve të interesit ka një lloj konsistence: të parët që përfitojnë janë gjithmonë fëmijët dhe këtë e kemi parë jo vetëm si pjesë e këtyre dy raporteve të mëdhaja, por edhe si pjesë e raportimit mujor që ne bëjmë”, u shpreh Hoxha për SCAN.
Filantropia në Shqipëri nuk lehtësohet shumë as nga kuadri ligjor dhe rregullimi tatimor. Biznesi nuk ka incentiva specifike për sa i takon filantropisë. Zakonisht, këto shpenzime përfshihen te sponsorizimet, pikërisht për shkak se nuk njihen specifikisht si shpenzim për efekt të llogaritjes së tatimit mbi të ardhurat.
“Biznesi e ka shumë problem të dhurojë pasi procedura e dhurimit është shumë e paqartë dhe përbën një bazë të konsiderueshme për zyrën e taksave për ta parë si evazion fiskal, dhe biznesi nuk do që të hyjë aty”.
Partnerët Shqipëri konstaton gjithashtu se, shpeshherë, institucionet shtetërore dëmtojnë nismën filantropike, duke marrë vetë meritat për investime që kryhen nga biznesi apo, në rastin më të mirë, me bashkëfinancim. Mospasja e një transparence publike shpeshherë i zhgënjen bizneset dhe i dekurajon për të shpenzuar në veprimtari filantropike.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.