Biznesi dhe qeveria e re – Sipërmarrja e dyzuar mes problematikave aktuale dhe optimizmit për të ardhmen
Biznesi është partner kryesor në zhvillimin ekonomik, social, por dhe integrimin e vendit. Kjo është ajo çka thuhet në çdo tryezë apo takim zyrtar të qeverisë qendrore apo lokale. Por, sa partner është me të vërtetë biznesi në aktivitetin ekonomik të vendit? Është quajtur motorri i ekonomisë dhe ndoshta atë që s’e kanë bërë qeveritë në këto vitet e fundit e ka bërë sipërmarrja vendase dhe e huaj në zhvillimin e vendit. Megjithëse qeveria shqiptare ka ndërmarrë një sërë reformash në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit në vend, duhet ende kohë që biznesi të ndryshojë perceptim dhe të krijojë pritshmëritë pozitive mbi klimën e biznesit në një të ardhme të afërt.
Edhe pse këto reforma janë ndërmarrë në fusha të ndryshme, janë lehtësuar procedura apo eliminuar barriera, përsëri klima e të bërit biznes në vendin tonë mbetet “ e brishtë”, ndërkohë që konkurrenca e vendeve fqinje mbetet e lartë në këtë aspekt. Çështjet më problematike mbeten zbatimi i ligjit, efektshmëria e gjyqësorit, ndryshimi i legjislacionit dhe atij tatimor në veçanti, stabiliteti i tij, pasi biznesi mendon se ai është kompleks dhe i ndryshueshëm, shpesh i pakuptueshëm dhe me vështirësi në zbatim. Për të përmirësuar këtë klimë, do të jetë miratimi dhe vënia në zbatim sa më shpejt e reformës në drejtësi.…
Por çfarë pret vetë komuniteti i biznesit nga qeveria e re. Sipas përfaqësuesve të dhomave kryesorë të tregtisë në vend, miratimi i një dikasteri të ri në kabinetin qeveritar, siç është Ministria për Mbrojtjen e Sipërmarrjes është një vlerësim nga ana e kryeministrit i çështjeve dhe problematikave të biznesit. Ndërkohë edhe pse vlerësojnë këtë strukturë, janë “skeptikë” për mënyrën e funksionimit të saj.
Ines Muçostepa, Kryetare e Unionit të Dhomave të Tregtisë së Shqipërisë
Biznesi kërkon reforma strukturore dhe politika konkurruese. Nuk mund të konkurrohet vetëm me krahun e lirë të punës. Duhet të bëhemi konkurrues me njerez të kualifikuar. Qeveria duhet të mbajë marrëdhëniet me sipërmarrjen me anë të asosacioneve të sipërmarrjes. Duhet të punohet për krijimin e kësaj kulture. Qeveria përpara se të marrë vendime lidhur me politikat ekonomike duhet të paraqesë drafte për të marrë propozime dhe ekspertiza nga sipërmarrja. Sipërmarrja duhet të ndihet e sigurtë. Për këtë, politikëbërja nuk duhet të miratojë ndryshime të shpeshta fiskale apo të paraqesë paqartësi në politikat e zhvillimit ekonomik dhe klimës së biznesit. Qeveria duhet të vazhdojë të punojë për përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit, të qetësisë dhe sigurisë ekonomike. Kjo është gjëja më e rëndësishme për biznesin. Nga komuniteti i biznesit është vlerësuar gjithënjë, jo niveli i taksave apo tatimeve, por thjeshtësia në pagesa dhe eleminimi i barrierave nga shumë institucione publike. Edhe pse gjatë mandatit të kaluar u morën një sërë nismash për të lehtësuar procedurat administrative për biznesin, përsëri ka shumë për të bërë në lidhje me uljen e nivelit të korrupsionit si dhe burokracive. Këto u kushtojnë më tepër sipërmarrjes, sesa niveli i lartë i taksave. Për një sipërmarrës “koha është flori”, dhe thjeshtësimi ose lehtësimi i procedurave, do t’ua përmirësonte jo vetëm performancën bizneseve, por do të rriste dhe konkurrencën në treg. Duke qenë se përfaqësoj gjithë komunitetin e biznesit në vend, do t’i kërkoja qeverisë së re të kishte dhe një harmonizim të politikave fiskale të qeverisë qendrore dhe asaj lokale. Kjo pasi dhe aftësitë paguese të biznesit nuk janë të njëllojta, si në kryeqytet, si në qytetet kryesore, apo në qytete më të vogla periferike. Kjo do të bënte që biznesi të ndihej mirë në çdo cep të vendit ku zhvillon aktivitetin ekonomik.
Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë
Komuniteti i biznesit kërkon në radhë të parë një stabilitet politik dhe më pas dhe qartësi në politikat legjislative dhe fiskale. Ndërkohë krijimi i Ministrisë për Mbrojtjen e Sipërmarrjes në kabinetin e ri qeverisës është mirëpritur nga komuniteti i biznesit. Kreu i biznesit kryeqytetas Nikolin Jaka, komenton për “SCAN Magazine“, se krahas vlerësimit për këtë strukturë të re, prisnim një procedurë dhe format ndryshe. “Është jashtëzakonisht e rëndësishme prezantimi i një ministrie të posaçme për sipërmarrjen private. Ka qenë një kërkesë e sipërmarrjes private e kahershme, ne e kemi kërkuar mbase në procedurë tjetër dhe në format tjetër, por është jashtëzakonisht e rëndësishme që kemi një reagim. Pra, këtu do të thotë se fjalët tona kanë shkuar diku, janë dëgjuar dhe jam i sigurt se koha do të jetë edhe shëruesi më i mirë i të gjithë komunikimeve tona, që kjo ministri të marrë dhe rolin e saj për t’i shërbyer sipërmarrjes private”, shprehet Jaka. Sipas tij, kjo ministri duhet të përmbushë pritshmëritë e biznesit, si dhe të funksionojë dhe të përqendrohet në disa sektorë kryesorë. “Jam i bindur që gjatë rrugës do të kemi edhe komunikime me qeverinë, mbase dhe me ministren përkatëse për të formatuar siç duhet këtë ministri që të jetë realisht në shërbim të sipërmarrjes shqiptare dhe jo vetëm të sipërmarrjes shqiptare, por të ketë një ndikim të fortë në hartimin e politikave zhvillimore ekonomike në sektorin privat. Jam i bindur që ndikimi i sipërmarrjes private tek kjo ministri do të jetë shumë i madh, sepse janë nevojat dhe emergjencat që po kalon ekonomia kombëtare, nevojat dhe domosdoshmëria që po kalon sektori i prodhimit dhe sektori i ekonomisë private në tërësi. E ndjen dhe do ta ndiejë si një domosdoshmëri intensifikimin e marrëdhënieve të komunikimit me sipërmarrjet private dhe me këtë ministri dhe me qeveri në tërësi”. Vetëm dy muaj më parë, para zgjedhjeve të përgjithshme, biznesi i bëri thirrje klasës politike që me konfigurimin e qeverisë së re të krijohet Ministria e Tregtisë dhe Sipërmarrjes, drejtimi i së cilës do të propozohej nga vetë biznesi.
Marinela Jazoj, Drejtore Ekzekutive e FIAA
Biznesi i huaj në Shqipëri, por jo vetëm, pasi i gjithë komuniteti i biznesit në vend, është në pritje të ndryshimeve apo risive që do të sjellë qeverisja e re këtë shtator. Eshtë mëse e qartë se ajo çfarë është më e rëndësishme për biznesin është krijimi dhe qëndrueshmeria e një klime të favorshme në të bërit biznes në Shqipëri. Me duhet të pranoj se ishte pozitiv fakti i uljes se konflikteve midis palëve politike në vend dhe zhvillimi i zgjedhjeve në një klimë paqësore, pasi nuk mund ta fshehim që momentet e para dhe diskutimet e gjata midis palëve politike dhe kërkesave respektive, sollën një tkurrje të interesit të kompanive të huaja për Shqipërinë. Ndoshta për arsyet më lart apo dhe për të tjera, ne nuk jemi njohur me një program ekonomik fiskal për katër vitet e ardhshme. Megjithatë, shtatori erdhi dhe mendoj se meqënese qeverisja e vendit këtë herë do të bëhet nga një forcë e vetme politike dhe po nga e njëjta forcë që ka qenë në katër vitet e kaluara, duhet parë me pozitivitet fakti se do të ketë një vazhdueshmëri të atyre reformave të marra në favor të biznesit në mënyrë që ato të implementohen në kohën e duhur, me profesionalizëm, si dhe me transparencë të plotë. Gjithashtu, duke e vlerësuar si pozitiv turin e bashkëbisedimit me qytetarët shqiptarë që Kryeministri i vendit ka bërë gjatë muajve të fundit, uroj që shumë shpejt të ketë një tur bisedimesh dhe tryezash efektive edhe me përfaqësuesit e biznesit të huaj dhe vendas. Për biznesin e huaj, nisur edhe nga problematikat që ne kemi evidentuar shpesh në anketimet e bëra, është shumë e rëndësishme të luftohen në mënyrë të qëndrueshme korrupsioni, burokracia duke eleminuar të gjitha ato hallka apo procese të cilat e ndihmojnë atë. E rëndësishme në klimën ekonomike të vendit, mbetet edhe prania e një sistemi fiskal- ligjor i drejtë dhe sa më eficient, i cili do të rriste interesin e invesitoreve të huaj në vend. Dhe pa dyshim jo me pak e rëndësishme, është bashkëpunimi dhe dialogu me biznesin për ta bërë atë pjesë të vendimmarrjes në politikat e zhvillimit duke krijuar platforma komunikimi afatgjata sa më eficente.
Mark Crawford, President i Dhomës Amerikane të Tregtisë
Në një kohë kur pritet të nisë nga puna qeveria e re, komuniteti i biznesit të huaj, që zhvillon aktivitetin ekonomik në vendin tonë, kërkon që të mbahen premtimet e bëra në fushatën elektorale për lehtësimin e barrës fiskale. Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crowford shprehet se qeveria e re duhet të ulë taksat që Shqipëria të jetë konkurruese në rajon.
“Anëtarët tanë presin që qeveria do të plotësojë premtimet që ka bërë gjatë fushatës. Ne e dimë që opozita donte të ulte taksat, por edhe kjo qeveri që fitoi, tha që do zbresë taksat. Kështu do të bëhet e mundur që të jemi konkurrent në rajon, një çështje që ne kemi folur për shumë vite”, tha Crowford. Ngritja e një dikasteri të ri për mbrojtjen e sipërmarrjes vlerësohet nga Crowford, edhe pse sipas tij, nuk është e qartë si do funksionojë. “Nuk jam i sigurt si do funksionojë kjo ministri praktikisht. Besoj se kryeministri ka parë situatën, ankesat nga sektori i biznesit që nuk ishin plotësuar apo dëgjuar nga ministritë përkatëse, dhe kishin nevojë për këto iniciativa të reja. Kështu që ne si Dhomë Amerikane do të kemi bashkëpunim me këtë ministri, dhe do shohim si do shkojnë rezultatet”.Dhoma Amerikane e Tregtisë është një ndër organizatat e biznesit më aktive në vend, dhe jo rrallë herë ka patur dhe “përplasje” me qeverinë për nisma të ndryshme ligjore, të cila kanë të bëjnë me zhvillimet ekonomike në vend.
Gjergj Buxhuku, Drejtor Ekzekutiv i Konfindustria
Në gjendjen e sotme të ndërlikuar ekonomike, institucionale dhe politike në të cilën ndodhet Shqipëria është e vështirë të përmbledhësh, se cilat mund të jenë kërkesat e biznesit për qeverinë e re të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit 2017. Përse e them këtë? Duhet të pranojmë, se tashmë sistemi ekonomik i ndërtuar në 26 vjet ka shfaqur qartë probleme të rënda, që lidhen drejtpërdrejt me thelbin e tij. Nuk bëhet më fjalë për rregullime pjesore. Kërkohen detyrimisht ndërhyrje në “zemrën e tij”, që në këtë rast duhet të jenë zgjidhje rrënjësore, që nuk mund t’i japë biznesi, por vetëm politika. Sistemi i sotëm nuk është i aftë të sigurojë rritjen e qëndrueshme ekonomike. Mjafton të vlerësojmë, se rritja ekonomike mesatare në 4 vitet e fundit nuk e arrin 3% e PBB dhe nëse do të zbriten, rritja e borxhit të ri prej mbi 1.4 miliard$, ndikimi i disa projekteve të nisura kohë më parë dhe pa llogaritur ekonominë e trafiqeve, jemi në kushtet e një recesioni të qartë prej mbi 2%. Pasojat shprehen dukshëm në rënien e nivelit real të jetesës së qytetarëve në mbi 2%, si dhe fuqinë e ulët në përthithjen e fuqisë së re punëtore. Vendi vazhdon prej pothuaj 3 dhjetëvjeçarësh të mbështetet në të ardhurat nga burimet natyrore të papërpunuara, prodhime manifakture me vlerë të shtuar të ulët, të ardhurat nga emigracioni dhe trafiqet. Një sistem ekonomik i tillë, që është objektivisht i paaftë për të krijuar mirëqenie dhe nuk mban dot qytetarët e tij tregon, se praktikisht ka rënë dhe duhet rindërtuar nga fillimi. Politikat fiskale të vendit kanë treguar qartësisht se nuk mbështesin rritjen ekonomike dhe tërheqjen e investimeve. Sikur të mos mungojnë mangësitë në infrastrukture, e drejta pronësore, sundimi i ligjit dhe institucione të paafta, në mënyrë paradoksale biznesi përballet me politikat fiskale më të pafavorshme në rajon. Në kushte të tilla nuk mund të përballohet konkurenca për thithjen e investimeve të vendit dhe të huaja. Zgjidhjet duhet të fillojnë të jenë thelbësore dhe jo anësore. Duhet të kuptohet dhe të luftohet “shkaku i sëmundjes” dhe jo të merremi me pasojat e saj. Nuk jam i sigurtë se vendimmarrja politike shqiptare ka “sy dhe veshë” për të vështruar të vërtetën e hidhur dhe malin me probleme që shfaq ekonomia e vendit. Për më shumë nuk jam i sigurt, nëse ka vullnetin politik për të marrë përgjegjësinë e rëndë të fillimit të rindërtimit të ekonomisë në mënyrë të qëndrueshme në aftagjatë. Eshtë detyrë shumë e vështirë, që në fakt është e pamundur të përballohet edhe nëse është vullneti i vetëm shumicës. Duhet një marrëveshje e qëndrueshme shumëvjecare e gjithë politikës shqiptare për të shpresuar. Nuk jam i sigurt në sa më sipër, prandaj u shpreha se ishte e vështirë të rendisja kërkesat për qeverinë e re të pas 25 qershorit!
Agim Rrapaj, KASH
Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH) mbi bazën e studimeve të kryera beson se Shqipëria ka akoma potenciale dhe rezerva të pashfrytëzuara për zhvillimin me ritme më të shpejta të bujqësisë, agrobiznesit dhe zonave rurale në tërësi. Alternativat dhe zgjidhjet me të mira për zhvillimin e bujqësisë dhe agrobiznesit mund të gjenden dhe realizohen, duke u bazuar dhe forcuar frymën e një partneriteti publik- privat dhe duke vleresuar mendimin e ekspertëve, institucioneve arsimore e studimore të fushës dhe shoqërise civile në zonat rurale. Objektivat mund të realizohen duke ndjekur konceptin strategjik të një trinomi: Kooperim – Mekanizim dhe Inovacion – Financim – Përmirësim legjislacioni, në zonat rurale.
KASH konstaton nevojën për: konsolidimin e rrjetit ekzistues të Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor, duke formalizuar dhe përsosur më tej strukturën e tyre organizative, në nivel lokal dhe kombëtar; ristrukturimin e programit aktual të Qendrës Kombëtare të Biznesit ose krijimin e një qendre të re kombëtare për regjistrimin e fermerëve dhe subjekteve të agrobiznesit; rritjen e ndërgjegjësimit të aktorëve ekonomikë, kombëtar mbi potencialin e sipërmarrjeve dhe fermerëve shqiptarë të angazhuar në zhvillimin e bujqësisë sociale, të agrobiznesit dhe zonave rurale në tërësi; rinovimin e Parkut të Mekanikës Bujqësore në vend, me qëllim rritjen e performancës dhe nivelit të prodhimit kombëtar në zonat rurale; evidentimin dhe analizimin sa më të plotë, transparent dhe të saktë të tokave të lëna djerrë ose të pakultivuara me mekanikë bujqësore, si dhe të aseteve të tjera në zonat rurale, me qëllim identifikimin e potencialeve ende të pashfrytëzuara dhe orientimin e investimeve drejt sektorëve dhe produkteve me interes për eksport ose me impakt të lartë punësimi; mbështetjen e metodave inovative dhe programeve prodhuese intensive për të siguruar një mekanikë performante, duke synuar në veçanti reduktimin e kostove energjetike, nëpërmjet zëvendësimit të karburantit të importuar me karburant të prodhuar dhe përpunuar në vend; hartimin e regjistrit elektronik të fermës, kartës elektronike të fermerit dhe Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Agrobiznesit; uljen e kostove për fermerët në aksesin në financë si dhe mbështetjen e tyre në garantimin dhe marrjen e financimeve më të mëdha dhe të përshtatura ndaj nevojave të tregut .
Konkretisht, për të gjitha propozimet që po bëhen aktualisht dhe ato në vijim, nga ekspertët e KASH janë llogaritur potencialet dhe rezervat dhe është e mundur që brenda një periudhe të shkurtër kohe të arrihen disa objektiva madhore si psh.: Të shtohet me 70 mijë ha sipërfaqja e tokës së punuar, e mundshme për t’u ujitur dhe kultivuar me mekanikë bujqësore, për rrjedhojë hapen mbi 70 mijë vende të reja pune, rritet rendimenti i prodhimit me minimum 25% për këtë sipërfaqe, shtohen të ardhurat nga bujqësia me mbi 70 milionë $ në një vit bujqësor. Reduktohen shpenzimet në sektorin e agromekanikës me mbi 50 milionë $ në një vit bujqësor. Formalizohet dhe rinovohet me ritme shumë më të shpejta parku i mjeteve të mekanikës bujqësore në Shqipëri. Përmirësohet ndjeshëm gjëndja e mekanizimit dhe inovacionit vecanërisht për sektorin e informacionit dhe statistikës në zonat rurale. Krijohen brenda një kohe të shkurtër, 6-8 muaj, mbi 10000 vende te reja pune mjaft të kërkuara nga moshat e reja, studentët e sapo diplomuar të UBT dhe emigrantët e kualifikuar të kthyer në Shqipëri nga emigracioni. Propozimet nuk ndikojnë negativisht në treguesit financiarë të buxhetit të shtetit për vitin 2018, përkundrazi. Propozimet e KASH i shërbejnë drejtpërdrejt formalizimit të të gjithë fermerëve pa përjashtim, të gjitha subjekteve që veprojnë në fushën e prodhimit dhe të shërbimit në zonat rurale, pra nuk janë selektive, por gjithëpërfshirëse.
Violeta Shqalsi/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.