Biznesi i vogël, më i godituri nga pandemia – BSH: Rënie të shitjeve me 36.9%, rritet kredia për përballimin e shpenzimeve afatshkurtra

Ndërmarrjet raportojnë rënie të nivelit të shitjeve dhe rezultatit financiar gjatë 6-mujorit të dytë të vitit 2020, por biznesi i vogël duket se ka goditjen më të madhe, si pasojë e situatës së krijuar nga COVID-19. Sipas Vrojtimit mbi Gjendjen Financiare dhe Huamarrjen, realizuar nga Banka e Shqipërisë, ndërmarrjet e vogla vijojnë të raportojnë një rënie të ndjeshme të nivelit të shitjeve me një balancë neto negative prej -36.9%, disi e përmirësuar në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit, por me një nivel të përkeqësuar në krahasim me një vit më pare.
Situata është e ngjashme edhe për ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha, të cilat kanë shënuar balanca neto negative të shitjeve, respektivisht me -30.2% dhe -10.7%. Sa i takon rezultatit financiar ndërmarrjet e vogla vlerësojnë rënie të ndjeshme, me një balancë neto negative prej -38%. Edhe ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha deklarojnë balanca negative të rezultatit financiar, respektivisht -26.9% dhe -9.3%, por në përmirësim krahasuar me periudhat e mëparshme.
Sipas Bankës së Shqipërisë, pritshmëritë për gjashtëmujorin e ardhshëm janë pesimiste për ndërmarrjet e vogla dhe ato të mesme, por vijojnë të mbeten pozitive për ndërmarrjet e mëdha, ndonëse në rënie në krahasim me periudhat e mëparshme.Ndërkaq, në 6-mujorin e dytë huamarrja për kryerjen e investimeve pësoi rënie për të gjitha madhësitë e ndërmarrjeve, në raport me gjysmën e parë të vitit, ndërkohë që huamarrja me qëllim përballimin e shpenzimeve afatshkurtra ka vijuar të rritet për ndërmarrjet e mesme.
Ndërkaq, vihet re një rritje e peshës së ndërmarrjeve që shprehen se ka mundësi të marrin një kredi në gjysmën e parë të vitit 2021. Në total, në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë u përfshinë 1,374 ndërmarrjesh të madhësive të ndryshme të shtrira gjeografikisht në të gjithë vendin dhe që kryejnë aktivitetin e tyre në sektorët kryesorë të ekonomisë.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.