Biznesi i vogël në TVSH – DPT: Në mars u trajnuan 1210 subjekte, u asistuan në Këndet e Asistencës rreth 1500

Rreth 1210 biznese të vogla janë trajnuar gjatë muajit mars në sesionin e trajnimeve të dedikuara për këtë kategori biznesi sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Drejtoritë Rajonale Tatimore Tiranë, Sarandë, Gjirokastër dhe Kukës kanë zhvilluar sesionin e radhës të trajnimeve për biznesin e vogël që do të përfshihet për herë të parë në skemën e TVSH-së nga data 26-29 mars. Në total numërohen rreth 430 pjesëmarrës, që përfaqësojnë edhe 1210 subjekte.
Në dy javët e para të trajnimit kjo shifër rezultonte në 230 pjesëmarrës, përfaqësues të 700 subjekteve. Gjatë këtyre trajnimeve ata janë njohur me procedurat që duhet të ndjekin për përmbushjen e detyrimeve ligjore, plotësimin dhe afatet e deklarimit të TVSH-së, plotësimin e faturave tatimore, etj.
Ndërkohë, sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, gjatë këtij muaji janë asistuar në Këndet e Asistencës, të ngritura posaçërisht për biznesin e vogël rreth 1500 subjekte. Në të gjithë vendin numërohen gjithsej 13 Kënde të Asistencës.
Ndërkohë, sesionet e trajnimeve do të vijojnë deri në fund të muajit qershor dhe janë planifikuar rreth 100 të tilla.
G.D/SCAN
Mbyllet jave e 2-të e trajnimit të biznesit të vogël – DPT: Më shumë se 230 pjesëmarrës
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.