Biznesi kërkon lehtësim – Taksat i zënë vendin korrupsionit si pengesa numër një

Korrupsioni nuk është më pengesa kryesore e të bërit biznes në vendin tonë, thotë Forumi Ekonomik Botëror në raportin global të konkurrueshmërisë 2017-2018.
Në raportin e vitit të kaluar, thuajse një në katër biznese, ose 23.6% deklaronin se ishte pikërisht korrupsioni pengesa numër një e të bërit biznes në Shqipëri. Në raportin e këtij viti, kjo normë zbret në 16.4%, duke i lënë vendin një tjetër problematike, që duket se tashmë është shqetësimi numër një për ata që bëjnë biznes, apo ata që duan të merren me biznes: taksat e larta.
Normat e larta të taksave, vlerësohen nga 21.7% e biznesit si problemi numër një. Një vit më parë, kjo normë fiksohej në diçka më pak. Shqetësimi që bizneset kanë me taksat nuk është vetëm sa i përket normës së tyre, por edhe rregullatorëve. Një vit më parë, kjo problematikë ishte e 11-ta në listë, ndërsa sot është e katërta, me 9.3% që e vendosin si problemin më të madh të të bërit biznes, nga 1.9% e një viti më parë.
Një rritje të lehtë ka pësuar edhe problematika që i referohet krimit dhe vjedhjes.

Përfundimet tregojnë qartë se biznesi kërkon lehtësim. Ndoshta ka ardhur koha që edhe qeveria të dëgjojë kërkesat e biznesit, sidomos tani, që kërkon që me aksionin “anti-informalitet 3” të korrë suksesin maksimal.
Informaliteti është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e taksave të larta, përveçse, mungesës së kontrollit nga autoritetet dhe ndërgjegjësimit publik.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.