Biznesi në 2018 – Buxhuku: Duhet ndryshim i politikave fiskale
Shqipëria ka nevojë për ndryshim themelor të politikave fiskale për të bërë të mundur futjen e ekonomisë në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm. Kështu ka deklaruar për televizionin SCAN kreu i Konfindustrisë Gjergj Buxhuku, i cili vlerësoi si të nevojshëm krijimin i hapësirave për investime.
“Ekonomia shqiptare ka nevojë që të futet në rrugën e një zhvillimi të qëndrueshëm dhe baza duhet të jetë pikërisht ose treguesi bazik, themelor duhet të jetë rritja ekonomike. Një rritje ekonomike e cila mendojmë që duhet të jetë e qëndrueshme. Në fakt, kjo është edhe pjesa në të cilën ekonomia shqiptare ka shfaqur shenja të dukshme dobësie. Kjo ishte edhe arsyeja se përse unë thashë se ne kemi nevojë para së gjithash për politika ekonomike, natyrisht, pastaj të shoqëruara me politika fiskale.”
Sipas Buxhukut, Shqipëria nuk ka tregje dhe përveç kësaj nuk është konkurruese me vendet e tjera për shkak të barrës fiskale dhe jo vetëm. Problematikat në ekonominë reale, sipas tij, ndihen edhe në sistemin bankar.
“Shqipëria me politikën fiskale që sot ka nuk është konkurrente me vendet e tjera. Pra, praktikisht kemi një barrë fiskale të paktën 50 për qind më të madhe se sa ato të vendeve të tjera në komponentët kryesorë të tyre. Për të mos përmendur pastaj dhe problemet e tjera të cilat ne kemi nga një anë probleme objektive, siç është puna e tregjeve të vogla. Problem tjetër është problemi i mbylljes edhe të tregjeve aktuale, pra prania e oligopoleve, monopoleve në tregjet kryesore të vendit është e dukshme, qe i bashkëngjitet objektivitetit të tregut të vogël që paraqet Shqipëria. Problematikat pastaj me burokracinë institucionale, korrupsionin, me sistemin e drejtësisë. Edhe sistemi bankar në Shqipëri ka të njëjtën fizionomi me atë që ka edhe ekonomia reale.”
Lidhur me çeljen e negociatave për integrimin në BE, kreu i Konfindustrisë e vlerësoi si një garë ku dhe mund të humbësh.
“Integrimi europian, në fakt në thelbin e tij është një betejë e ashpër për tregje, të cilat askush nuk të jep një drekë falas, as mos ta mendojmë këtë gjë dhe natyrisht, siç hap mundësi për përfitim, ashtu është një garë në të cilën ti edhe mund të humbësh.”
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.