Biznesi në lulëzim! Vitin e kaluar, Shqipëria importoi rreth 1 miliard lekë lule
Buqetë lulesh për ditëlindje, për Shën Valentin, lule për 8 Mars, lule për përvjetorin e martesës apo edhe për të kërkuar falje… Tashmë, me një buqetë lulesh të kompozuar bukur, mund të përfaqësohesh denjësisht në çdo lloj rasti. Ky është edhe trendi në rritje i zgjedhjeve të qytetarëve, për të mos humbur kohë në gjetjen e dhuratave apo për t’u shkarkuar nga përgjegjësia e mospërshtatjes së shijeve. Industria e luleve, një industri e re në moshë, jo më shumë se 15 -vjeçare, duket se po fiton ndjeshëm terren dhe po bëhet një ndër bizneset në lulëzim. Të shumta janë rrugët ku dyqanet e luleve janë thuajse ngjitur me njëra-tjetrën, e ndërsa konsiderohet një biznes si gjithë të tjerët në hapje dhe menaxhim. Tregu i luleve të prera, të destinuara për buqeta, dominohet nga importi në masën mbi 90 %, dhe importuesi kryesor është Italia. E ndërsa importi ka sërish edhe një pjesë të mirë të “tortës” së këtij tregu edhe sa i përket luleve, bimëve e shkurreve dekorative që përdoren për zbukurimin e ambienteve të jashtme e të brendshme të bizneseve, të vilave apo ballkoneve të shtëpive. Rreth 1 miliard lekë është furnizimi në total vetëm për vitin 2017.
Tregu i luleve, biznesi në rritje
Megjithëse një industri e re, duket se orientimi i qytetarëve drejt luleve ka pasur rritje progresive nga viti në vit, fenomen që mbizotëron më së shumti në kryeqytet, çka ka sjellë që edhe bizneset e vogla të tregtimit të luleve të shtohen. Tashmë, qytetarët nuk presin vetëm rastet festive për të blerë një buqetë më lule apo fatkeqësitë, pasi shpesh u drejtohen dyqaneve të luleve edhe kur duan të shprehin mirënjohje apo të kujtojnë dikë. Megjithatë duhet thënë se rastet e festave, kryesisht kombëtare, shënojnë edhe bumin e blerjeve. Elona Vasili, admninistratore e një prej dyqaneve të para në kryeqytet “BotaLuleve” tregon edhe trendin e kërkesës. “Kërkesa për lule është rritur. Jemi përpjekur të rrisim cilësinë e shërbimit, të kompozojmë buqeta sa më të bukura dhe njerëzit kanë sjellë njëri-tjetrin. Qytetarët mbarojnë punë me lulet. Por mbetet biznes qejfi, nuk është biznes që bën para dhe pasurohesh”. Përpos buqetave me lule të prera, kërkesë në rritje ka edhe për kompozime me vazo lulesh, si një dëshirë e klientëve për të dërguar dhurata që rezistojnë më gjatë.
Dyqanet e luleve, si një biznes i zakonshëm
Ndonëse nuk ka shumë vite që funksionon si industri e mirëfilltë, dyqanet që tregtojnë lule, duke parë edhe tendencën e kërkesës në rritje, janë shtuar së tepërmi. Vetëm në kryeqytet numërohen mbi 100 të tilla, e ndërsa qytetet e vogla kanë kërkesë më të zbehtë e si rrjedhojë edhe më pak biznese të tilla. Për të hapur një biznes të tillë, nuk ka asnjë kriter të ndryshëm nga sipërmarrjet e tjera, sa i përket procedurave edhe kostove, çka e bën më të thjeshtë për çdo individ që ka dëshirë të jetë pjesë e kësaj industrie. Por kjo gjë sjell shqetësime për dyqanet tradicionale të luleve që funksionojnë prej vitesh në treg.
“Kemi 10 vjet që e kemi këtë biznes. Janë hapur dyqane lulesh si kërpudha dhe tërësisht aprofesionale, pasi shitëse të miat apo në dyqane të tjera kanë marrë iniciativën për të pasur biznesin e tyre, megjithëse nuk e kanë eksperiencën e duhur. Megjithatë, siç janë hapur, disa dhe janë mbyllur. Nuk është biznes shumë fitimprurës, por mund ta hapë çdo njeri. Ndërsa jashtë vendit është një kurs i veçantë që bëhet dhe që duhet të marrësh licencë të veçantë për të funksionuar në treg”, shprehet Elona Vasili nga “BotaLuleve”.
Për shitësit e “vjetër”, rregullat e lojës në këtë treg bëjnë që konkurrenca të jetë e padrejtë, pasi dyqanet e reja për të tërhequr klientelë mund të bëjnë kompromise midis cilësisë dhe çmimit. Sipas Vasilit, në Tiranë dyqanet e luleve që vlerësohen si cilësore, numërohen me gishtat e një dore.
“Të tjerat duhet të futen në sitë. Duhet të ngrihet një komison vlerësues, dhe ato që nuk plotësojnë kriteret minimale të mbyllen nga Bashkia”, thekson Vasili. Ndërsa mospasja e një rregulli distance ia vështirëson edhe më shumë punën këtij biznesi. Nuk është e rrallë që të shohësh në një rrugë të vetme disa dyqane lulesh, sidomos pranë spitaleve apo në zona të preferuara.
Si funksionon tregu?
Dyqanet e luleve me pakicë furnizohen pothuajse në masën mbi 90 për qind nga importi. Lulet e prera vijnë vetëm nga jashtë, ndërsa mund të tregtohen në sasi të vogël edhe ndonjë vazo me prodhim vendi. Furnizuesi kryesor është Italia, Hollanda, Greqia, por blihen lule edhe nga Kenia, Kolumbia, etj. Janë furnitorë të mëdhenj ata që sjellin prodhimin e huaj në Shqipëri dhe më tej e shpërndajnë në subjekte të ndryshme sipas kërkesave të secilit biznes. Elona Vasili nga “BotaLuleve” tregon se furnizimi është i ndryshëm në kohë të ndryshme. Këto dyqane zakonisht tregtojnë tulipanë, trëndafila, luleborë, peonia, gerbera, zymbyla, etj. Tregu mbizotërohet nga importi për disa arsye. Duke qenë se është një industri e re, kultivuesit duket se nuk ia kanë dalë të prodhojnë për dyqanet që përdorin lule të prera. Elona shprehet se lulet nga importi kanë kimikate të tilla, të cilat i bëjnë ato të jenë rezistente deri në dy javë. Ndërsa lulet e kultivuara në vend, vyshken shumë shpejt dhe nuk janë për buqeta. Nga ana tjetër edhe larmishmëria e luleve që vjen nga jashtë është më e madhe. Edhe në këtë sektor ka informalitet, por ai është thuajse i pandjeshëm. Lulet që shiten në rrugë, kryesisht lule kopshti, nuk mund të konkurrojnë ato të dyqaneve, pasi rezistenca e tyre nuk është as një gjysmë dite.
Sa shpenzojnë shqiptarët për kompozime lulesh?
Shpenzimet për lulet duket se janë rritur ndjeshëm. Tendenca është që qytetarët të zgjedhin buqeta të kompozuara me cilësi dhe me një çmim që për nivelin e pagave, mund të përfshihen tek dhuratat e mira. “Shpenzimet për buqeta variojnë mesatarisht nga 3 mijë deri në 5 mijë lekë. Ka edhe ekstreme, pasi ka njërëz që kanë blerë dhe 2 mijë euro lule për një ditëlindje, për t’ia dërguar të dashurës, por këto janë raste të veçanta”, tregon Vasili. Megjithatë, sipas administratorëve të këtyre bizneseve, qytetarët që blejnë lule kanë një standard mestar apo mbimesatar, duke e konsideruar si një klientelë të përzgjedhur dhe që ia di vlerën shpenzimit të bërë për një kompozim. Çmimet e luleve janë të ndryshme. Ato fillojnë nga 100 lekë që është karafili deri në 800 lekë që është edhe lulja më e shtrenjtë, peonia, e cila përdoret kryesisht për dasma dhe është sezonale, vetëm në stinën e verës. Por çfarë kërkohet më shumë? “Lulet që kërkohen janë të ndryshme, dhe kjo sipas rasteve që ka secili klient, por lulja që konsiderohet si më popullorja dhe që çdo klienti sa hyn në dyqan i shkon në mendje, është trëndafili. Lulet e tjera janë sipas tipeve të njerëzve, veçanërisht trëndafili i kuq që është edhe më i shituri”, shpjegon Elona.
Lule nga telefoni dhe online
Nga zyra, nga shtëpia, apo edhe në një udhëtim… nëse do të surprizosh dikë, mjafton një telefonatë apo një shfletim në internet. Shumë dyqane lulesh tashmë kanë mundësuar shërbimin përmes telefonit dhe internetit, ku mund edhe të kërkosh të shkruar dedikimin tënd, dhe porosia shkon në vendin e caktuar, në orën e kërkuar, aty ku klienti e kërkon. Pagesa në këto raste bëhet më kartë përmes faqeve të internetit online dhe klientit nuk i merr as kohë dhe as mundim. E ndërkohë, të shumtë janë ata që e porosisin buqetën sipas shijeve të tyre në telefon, apo e lënë edhe në dorën e shitësve. E ndërsa, falë teknologjisë, blerja bëhet edhe më e thjeshtë, pasi kompozimet konfimohen përmes fotove të dërguara tek klientët. Porosi në dyqane të tilla mund të bëhen edhe nga klientë që jetojnë jashtë shtetit.
Domosdo që eventet e mëdha apo dasmat, janë klientela më e preferuar për një dyqan lulesh, pasi mund të nxjerrë xhiron dhe fitimin e një muaji. Tendenca është që ambientet e dasmave të arredohen me lule natyrale dhe çiftet zgjedhin që të shpenzojnë mirë në këtë drejtim për ditën më të rëndësishme të jetës. Duket se edhe në një dasmë të thjeshtë, pjesa më e madhe e çifteve ndoshta zgjedhin të bëjnë kompromis me shumë gjëra, por u janë larguar luleve artificiale. Dhe sigurisht që arredimi me lule natyrale i jep një “shije” tjetër ambientit. Kështu, për një dasmë normale, pra që salla të duket e mbushur me lule, çiftet duhet të shpenzojnë mesatarisht nga 100 deri në 150 mijë lekë. Kjo është kostoja e vlerësuar nga dyqanet e luleve. Elona thotë se gjithsesi, dyqanet u përshtaten kërkesave të klientëve sipas buxhetit që ata kanë, por produkti final gjithnjë reflekton investimin që është bërë. “Që të dalë një dasmë e bukur, pra që ambienti të jetë arreduar këndshëm, një tavolinë kushton 5- 6 mijë lekë”, tregon Elona. Ndërkohë që zakonisht, çiftet që zgjedhin arredimin e ambientit në një dyqan të caktuar, shpesh zgjedhin edhe zbukurimin e makinave, buqetën e nuses, etj. Por klientë të këtyre dyqaneve janë edhe hotelet e mëdha, ku edhe në konferenca të zakonshme, sallat shpesh arredohen me lule natyrale.
Importi i luleve të prera
Importi i luleve ka njohur rritje gjatë vitit 2017, duke iu përgjigjur kështu edhe kërkesës në rritje të qytetarëve. Kështu, referuar shifrave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, vitin që lamë pas janë importuar 654 tonë lule, nga 572 që janë importuar gjatë 2016-ës. E përkthyer në vlerë monetare, gjatë vitit 2017 janë importuar 314.7 milionë lekë (2.3 milion euro) lule të prera dhe gonxhe lulesh nga rreth 260.2 milionë (1.9 milion euro) të importuara në vitin 2016. Në këtë zë të importeve bëjnë pjesë vetëm lulet që përdoren për buqeta dhe zbukurime nga dyqane të ndryshme. Listën e shteteve kryesore nga ku furnizohet tregu shqiptar e kryeson Italia me 95 milionë lekë , megjithëse ka pasur rënie krahasimisht me vitin paraardhës, më pas renditet Hollanda, Kenia, Greqia dhe Kolumbia. Ndërsa gjatë këtij viti ka filluar kërkimi i tregjeve të reja si Meksika, Zimbvave, Guatemala, Etiopia, Kosta Rika, ku shifrat e importit janë të ulëta, thuajse të pandjeshme.
Eksporti i luleve
Krahasimisht me importin, eksporti i luleve është në vlerë tejet të ulët. Kështu gjatë 2017, sipas shifrave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, janë eksportuar 19 tonë lule, me vlerë 87.6 mijë euro, ndërsa gjatë vitit 2016 nuk ka pasur vlera eksportesh.
Importi sipas shteteve (Lule të prera dhe gonxhe lulesh për buqeta dhe qëllime zbukurimi) |
Shteti Sasia 2016 2017 Vlera/lekë 2016 2017 |
Italia 347 tonë 307 tonë 114 mln 95 mln |
Hollanda 159.9 tonë 245.7 tonë 105 mln 165 mln |
Kenia 23.5 tonë 18.5 tonë 19.9 mln 17 mln |
Kolumbia 9.5 tonë 23.3 tonë 3.4 mln 7.7 mln |
Greqia 7.3 tonë 4.6 tonë 5.6 mln 2.1 mln |
Kultivimi në vend
Përpos dyqaneve të luleve me pakicë që tregtojnë në masë prodhim importi, ana tjetër e medaljes është rritja e biznesit vendas, përmes kultivimit, një industri që ka nisur të hedhë themelet nga viti 1990. Kjo sipërmarrje targeton një tjetër natyrë klientele, duke mos hyrë fare në konkurrencë me prodhimin e importuar të luleve të prera. Madje shpeshherë, kultivuesit shohin më shumë avantazhe në sipërmarrjen e tyre.
“Biznesi i luleve çdo vit që kalon vjen në rritje kjo për shkak edhe të rritjes së ndërgjegjësimit të të gjitha shtresave për të qenë sa më pranë natyrës. Ka ndryshuar si mendësia e popullatës ashtu edhe mendësia e profesionistëve të kësaj fushe. Për shembull tashmë në raste vizitash për ditëlindje, në vend të rrobave apo sendeve të tjera, dhurohen kompozime në vazo që janë më jetëgjata se tufat me lule që jetojnë vetëm 7 deri në 10 ditë. Po kështu edhe në raste vizitash për sëmundje është hequr dorë nga dërgimi i frutave apo kompostove” , thekson Erald Çeku, drejtor i Departamentit të Projektimit & Zbatimit, pranë kompanisë “Garden Line”, një ndër bizneset më të mëdha në këtë sektor, i vendosur në Marikaj, Bashkinë Vorë. Vetëm kjo kompani ka dhe një sipërfaqe rreth 44.000 m2 ku rreth 6.000 m2 janë sera të mbuluara për prodhim lulesh të çelura sezonale si edhe për shkurre zbukuruese. Pjesa tjetër e sipërfaqes është e përbërë nga vende ku janë të vendosura tërë llojet e bimësisë dhe materiale të tjera për tregtim, si vazo, terren mbjelles i paketuar në sasi të ndryshme për klientët, vegla kopshtarie etj. Megjithatë, sa i përket bimëve për ambientet e brendshme, kultivuesit i blejnë në Hollandë.
“Ndërsa lulet e çelura sezonale si edhe një pjesë e mirë e shkurreve zbukuruese prodhohen në ndërmarrje. Një tjetër kompani e heshme që operon në këtë sektor është “AlbGarden” e krijuar në vitin 1994, e cila funksinon e certifikuar me standartet e BE-së ISO. Administratori i saj, Pjetër Trashaj, bën me dije se lulet natyrale, drurë dhe shkurre dekorative, 85% prodhohen nga vetë subjekti, në një fidanishte prodhuese prej 10 hektarësh, ndërsa importohen 15% e tyre, kryesisht lloje për lule të brendshme dhe buqeta. Dhe megjithëse eksporti është në sasi dhe vlerë shumë të ulët, Trashaj ka mundur të depërtojë në tregjet e huaja. “Lulet natyrale, drurë dhe shkurre dekorative, eksportojmë jashtë vendit, kryesisht në Kosovë, Mal të Zi dhe Itali. Kryesisht kërkohen drurë dhe shkurre dekorative.
Klientela e preferuar, bizneset dhe vilat
Bizneset dhe vilat po i kushtojnë rëndësi të lartë gjelbërimit në ambientet e tyre. Është i dukshëm investimi i bareve dhe restorantet në këtë drejtim, duke i bërë ambientet e tyre më të bukura vizualisht, por edhe më të shëndetshme, pasi bimët ulin ndjeshëm temperaturën dhe rrezatimin termik. Bimët konsiderohen si filtra të pluhurit dhe gazrave ndotës dhe realizojnë zbutjen e zhurmave në zonat industriale dhe pranë rrugëve automobilistike. Kërkesën në rritje e konfirmojnë edhe vetë ndërmarrjet e kultivimit të luleve dhe shkurreve zbukuruese, të cilat janë furnizuesit kryesorë. Erald Çeku shprehet se çdo vit që kalon ndjehet ndryshimi si edhe kërkesat e bizneseve, por edhe të personave familjarë, duke u drejtuar përherë e më tepër në ndërmarrje si “Garden Line”, të cilat sigurojnë për çdo nevojë të klientëve çdo gjë në lidhje me gjelbërimin, apo siç e quan ndryshe ai, punime me “çelësa në dorë”.
“Tashmë bizneset dhe klientët përfundimtarë kërkojnë, që për një nevojë të tyre për gjelbërim të ambienteve të punës, të lulishteve të ndërmarrjeve apo edhe personale nëpër banesa, të kenë një shërbim të plotë” thekson Çeku. Për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave, kompanitë serioze kanë punësuar staf që përmbush të gjithë gamën e nevojave që kanë klientët, si arkitektë peisazhi, art designer, inxhinierë hortikulture, inxhinerë pyjorë dhe agronomë. “Në këtë mënyrë arrijmë që të përmbushim kërkesat në mënyrë profesionale dhe të plotë duke filluar nga vizita në objekt, përgatitja e preventivit dhe projektit në 3D e deri te zbatimi i plotë i tij. Klientët tashmë kanë më tepër njohuri për bimësinë ndaj edhe kërkesat e pritshmëritë janë më të larta”, shprehet Çeku. Sa i përket çmimeve kompanitë nuk japin shifra, kjo për faktin se bimët kanë specifika dhe kosto të ndryshme, dhe në të shumtën e rasteve, ato iu përshtaten kërkesave dhe buxheteve që kanë klientët, në raport edhe me shijet e tyre. Erald Çeku thekson se ka bimë që janë të rralla dhe kushtojnë shumë, apo edhe vazo të tilla. Ndërsa kosto e bimëve është edhe në varësi të moshës që kanë, sa më të rritura të jenë, aq më tepër kushtojnë. Sipas tij, bimët që rriten ngadalë, duan shumë vite të dalin në treg dhe si e tillë, kushtojnë më tepër. Përpos kostove, interesin e lartë të bizneseve dhe qytetarëve drejt kësaj industrie e konfirmon edhe administrator i “AlbGarden” Pjetër Trashaj. “Kërkesat për të bërë arredimin në ambientet e tyre në vitet e fundit janë shtuar dhe interesi i qytetarëve është i vazhdueshëm”.
Ashtu si çdo industri tjetër, edhe kjo sipërmarrje përballet me problematika të shumta, që në një vend si Shqipëria, bëhen edhe më të vështira sa duhet të jenë realisht. Pjetër Trashaj, thekson se mungesa e mbështetjes financiare nga qeveria për të përmirësuar teknologjinë e prodhimit të luleve dhe infomaliteti janë tejet shqetësuese. Kultivuesit, kërkojnë nga qeveria që të rishikohet çmimi i naftës që përdoret për ngrohjen e serave si dhe të ketë kontrolle të shtuara për rregullimin e tregut, në mënyrë që të gjithë “lojtarët” të jenë në kushte të barabarta.
Prodhimi vendas i shumicës vs import
Lulet natyrale në vazo, bimët dekorative apo shkurret zbukuruese nuk kultivohen vetëm në vend. Edhe këtu, prodhimi i importit e ka gjetur veten mirë në treg. Pika të shumta shumice, funksionojnë më së miri me prodhim importi dhe vendi në masën 80 për qind me 20 për qind duke parë si avantazh cilësinë dhe eksperiencën e vendeve të huaja në këtë drejtim. E tillë është “Green Company”, e cila të bie në sy rrugës për në Dajt. Shitësi tregon se dominon malli nga jashtë, që edhe në këtë rast ka një raport të kënaqshëm cilësi- çmim. Furnizimi është sipas sezoneve dhe aktualisht në dyqan gjen një shumëllojshmëri lulesh pranverore, si begonja, mëllaga, karafili, zymbylat. Lulet në vazo të vogla kushtojnë nga 100 deri në 300 lekë. Shitësi na tregon se lulet në vazo me madhësi mesatare kushtojnë rreth 500 lekë. Sipas tij, bima më e shtrenjtë që blihet kryesisht nga baret dhe restorantet për ambiente të brendshme është “lulja e jetës” ose bonzaji, që kushton rreth 26 mijë lekë një vazo mesatare. Është bima më e preferuar për shkak të rezistencës dhe sepse nuk ka rritje shumë të madhe. Ndërsa nga bimët me lule, më e kushtueshmja dhe më e preferuara vlerësohet orkideja, rreth 2500 lekë. Pika të tilla më shumë xhiro kanë nga bizneset si bare dhe restorante, të cilat janë të “detyruara” që në çdo sezon të ndryshojnë arredimin e ambienteve të jashtme apo të brendshme, për shkak se bimët janë sezonale. Shitësi i “Green Company” vlerëson se një biznes i tillë shpenzon mesatarisht 250 mijë lekë në vit për gjelbërimin e ambienteve të tij, megjithëse gjithnjë varet nga hapësira dhe buxhetet e secilit klient.
Krahasimi në një dekadë, 2017-a shënon rekord, blihen 1 mld lekë lule
Importi i grupit “Pemë dhe bimë, rrënjë, lule dhe gjethe zbukuruese”, një zë që përmbledh të gjithë industrinë në tërësi dhe çfarë vjen në Shqipëri për këtë qëllim, ka pësuar rritje ndër vite. Referuar shifrave të INSTAT, del në pah edhe ecuria në rritje progresive e kësaj industrie në 10- vjeçarin e fundit. Rritja më e madhe në vlerë ka nisur që nga viti 2012 dhe deri në vitin që lamë pas, ku është regjistruar edhe vlera më e lartë e importeve, e regjistruar në 1 miliard lekë. Ndërsa viti që ka regjistruar importet më të ulëta në vlerë është viti 2007, me rreth 239.6 milionë lekë. Sa i përket importit në sasi, rezulton që në vitin 2009 është arritur kulmi, me rreth 10 mijë tonë, ndërsa më pak është importuar në 2007-ën, afro 4664 tonë. Gjatë vitit që lamë pas vlera e importeve të grupit “Pemë dhe bimë, rrënjë, lule dhe gjethe zbukuruese” është regjistruar në 8709 tonë.
Elisabeta Dosku/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.