Biznesi qarkullon 16 mld euro – Në vitin 2017 shitjet u rritën me 8%
Qarkullimi vjetor i biznesit në Shqipëri është rreth 16 miliardë euro. Të dhënat më të fundit të Instat dhe që i takojnë vitit 2017 treguan një rritje të shitjeve me afro 8%, rritje kjo pothuajse dy herë më e lartë krahasuar me vitin 2016.
Ekonomia shqiptare u mbështet akoma më shumë te shërbimet, që kontribuuan me 5.4 pikë përqindje në rritjen totale të shitjeve. Ndërkohë, numri i ndërmarrjeve aktive për vitin 2017 pësoi rënie me 0.8%, për herë të parë pas shumë vitesh.
Shifrat e vitit 2017 treguan një thellim në hendekun e eficiencës që po krijohet mes bizneseve të mëdha dhe atyre më të vogla. Bizneset me mbi 50 të punësuar realizuan afro 47% të shitjeve neto, në rritje të mëtejshme me dy pikë përqindje ndaj një viti më parë.
Bëhet fjalë për rreth 1200 ndërmarrje, që përfaqësojnë 1.2% të numrit të përgjithshëm të bizneseve në Shqipëri, por që realizojnë afro gjysmën e shitjeve dhe afro 70% të investimeve private në ekonomi.
Nga ana tjetër 95 mijë bizneset e vogla, me më pak se katër të punësuar, megjithëse përbëjnë 88% të numrit të përgjithshëm të ndërmarrjeve, sigurojnë më pak se 12% të shitjeve.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.